Home KRYESORE Burri e mbyti gruan, fshehu krimin bashkë me mjekun e Patosit

Burri e mbyti gruan, fshehu krimin bashkë me mjekun e Patosit

75 vjeçari Namik Velaj e kishte mbytur gruan duke i futur duart në fyt. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën ku jetonte çifti i moshuar një vit më parë, por u tentua të fshihej nga autori i krimit. Ishin vëllezërit e të ndjeres, Vreke Velaj që ngritën dyshime të arsyeshme dhe denoncuan në polici në muajin shtator, afro 9 muaj pas ngjarjes.

Policia dhe Prokuroria nisën hetimet dhe vendosën në pranga të moshuarin, dhe mjekun e qendrës shëndetësore Patos. Ilir Tanku po hetohet në gjendje të lirë dhe iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit pasi dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen, por nuk e deklaroi duke shkruar në regjister “vdekje aksidentale”.

Vëllezërit e të moshuarës, të cilët jetonin jashtë Shqipërisë, pas dyshimeve për vdekjen e mistershme të motrës së tyre bënë denoncim në polici. Pasi u mblodhën dëshmitë nisën hetimet me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda. Është provuar Namik Velaj e kishte vrarë bashkëshorten e tij, thonë burimet e organit të akuzës.

Më poshtë njoftimi i plotë i policisë

Zbardhet vrasja e një shtetaseje nga bashkëshorti i saj në Janar të vitit 2017. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Procedohet penalisht edhe mjeku i Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë rifilluar hetimet për një ngjarje të ndodhur në Janar të 2017 ku ka humbur jetën shtetasja V.V, vdekja e së cilës është trajtuar si vdekje natyrale.

Pas një pune hetimore disa mujore nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, është arritur të sigurohen prova dhe të meret masa e ndalimit ndaj autorit të dyshuar të vdekjes së shtetases V.V, bashkëshortit të saj, shtetasit: -Namik Velaj, 75 vjeç, banues në Patos.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 23.02.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal.

Gjithashtu është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, shtetasin I.T si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Share: