Në kohët e sotme kur burrështetëria është zëvendësuar nga përfitimi politik me çdo kusht – të cilin hajvanët për t’u justifikuar e thërresin “realpolitikë”, nuk besoj se ka ndonjë arsye ligjore që Presidenti Ilir Meta, bashkë me lejen për të zhvilluar negociata me Greqinë, të mos t’i imponojë qeverisë pjesëmarrjen në delegacion të një përfaqësuesi nga opozita – të cilin mund ta peshkojë nga rradhët e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.
Kjo, deri në integrimin e vendit tonë në BE, të shndërrohet në një normë ligjore të aplikueshme për të gjitha ato raste që Shqipëria, është e detyruar të negociojë çështje të integritetit territorial dhe dinjitetit e sigurisë kombëtare me vende të caktuara, kryesisht ato fqinje, me të cilat kemi patur dhe kemi konflikte historike në, dhe për të shkuarën.
Rasti tipik është Greqia, bisedimet me të cilën, në këto 27 vjet, gjithnjë zhvillohen nën frymën e shantazhit për mbështetjen ose jo (më shumë jo) të Shqipërisë në proçesin e integrimit në BE, në këmbim të retorikave apo synimeve greke ndaj Shqipërisë me gjuhën e fundviteve 1800 – po të mbyllësh sytë të bëhet sikur dëgjon Lefter Venizellos që gërvisht kartën me pendë, dhe jo Niko Kotzias që flet me celular. Në mos gaboj, më e fundit, ishte kërkesa e Presidenit grek Pavlopoulos për heqjen e Çamërisë nga tekstet shkollore. Çamëria është çështje kombëtare e cila nuk mund të këmbehet nga çfarëdo qeveri shqiptare që flirton me idenë se Greqia do ta mbështesë në BE, dhe kështu ajo mund t’i mburret shqiptarëve se kushedi çfarë bëri. Ca gjëra nuk kanë çmim. Ne, duhet te ruhemi nga çdo “dhuratë” që na tjetërson historinë, identitetin, dhe integritetin shpirtrëor dhe territorial kombëtar.
E mira do ishte që qëndrimet për këto çështje të mbarë shqiptarëve, që shkojnë përtej vanitetit individual apo shkëlqimit të qeverisë së rradhës, dhe që mbeten në trashëgiminë tonë kombëtare përtej mandateve qeveritare, të rakordoheshin paraprakisht në Kuvend – hapur me zë e figurë, duke konsultuar edhe ekspertët më të mirë.
Kështu zgjidhim çështjen e mosbesimit mes palëve politike shqiptare, axhendave okulte që mund të ketë qeveria e rradhës, e zgjedhur me, ose pa kujdes, nga ne shqiptarët, dhe garantojmë transparencën e gjithshkaje që bisedohet në tryezën e bisedimeve me vende të cilat vazhdimisht kanë, apo mund të kenë synime të përfitojnë prej nesh.
Se kështu gam, gam nga mbrapa, jemi bërë gazi i botës. Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE mund t’i duket qeverisë një çmim për të cilin ja vlen të paguash pak det e pak histori, por kjo nuk është çështje që mund të përdoret për kapital politik. Kjo është dhe mbetet çështje kombëtare, të cilën asnjë nga forcat politike nuk mund të ketë lirinë ta interpretojë sipas qejfit të saj, pavarësisht nga numri i votave që ka marrë.