Ambasadori amerikan Donald Lu deklaron se politika shqiptare dështoi sërish duke mos miratuar listën për anëtarët e KLGj-së dhe KLP-së.
Megjithatë ai thekson se shqiptarët duhet të përqëndrohen në lajmin e mirë se “Kushtetuta e kishte parashikuar këtë gjë dhe sot i përzgjodhi anëtarët në mënyrë rastësore”.
Në një reagim në Facebook, ambasadori Lu thotë se politikanët, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta kanë frikë nga reforma në drejtësi.
“Mos u përqendroni në lajmin e keq se politikanet dështuan sërish të bashkëpunojnë në përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Përqendrohuni në lajmin e mirë se Kushtetuta e kishte parashikuar këtë gjë dhe sot i përzgjodhi anëtarët në mënyrë rastësore. Unë kam më shumë besim në një përzgjedhje të rastit sesa ne përzgjedhjen nga politikanët. Reforma në drejtësi ka hedhur në hap përpara”, thotë Lu.
Reagimi i Lu erdhi pasi Kuvendi miratoi listën finale për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Votimi për KLGJ-në mori 72 vota pro, një kundër dhe një abstenim.
Ndërsa votimi për KLP-në mori 71 vota, dy kundër dhe një abstenim.
Ky ishte raundi i tretë dhe i fundit për përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për në KLP dhe KLGJ.
Opozita kundërshtoi listën e kandidatëve për të dy këshillat, duke sjellë në vëmendje qëndrimet e mbajtura për secilin prej tyre nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Lista e anëtarëve të KLGJ e KLP
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Fatmira Luli
Alban Toro
Maksim Qoku
Erion Muharremaj
Naurela Llagami
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Tartar Bazaj
Nurihan Seiti(Metaj)
Gent Ibrahimi
Sandër Beci
Alfred Balla