Përktheu Elona Caslli
Krejt i vetëm në autostradë,
me rrezet e para të mëngjesit.
Ndonjëherë e fik edhe radion
dhe e ngjis zemrën tek dritarja.
E di që bota dhe gjithçka tjetër
drejt shkatërrimit po shkon,
por në mëngjes, kur njerëzia fle
bashkë me humorin e saj të keq,
mjafton shumë pak.
Një vezullim i vogël, ajri që ke thithur më parë,
një peisazh, apo ku di unë.
Dhe jam mirë
Jam mirë si njeriu që ëndërron.
Nuk e di, nëse kjo gjë është e mirë ose jo,
por jam mirë.
Sa turp!
Jam mirë,
në këtë çast dhe në këtë vend.
Dhe unë nuk kam faj që jam mirë.
Është një gëzim i palogjikshëm,
që nuk e di nga vjen dhe nuk di se ç’është.
Është sikur krejt papritur,
të më kenë dhënë të drejtën të jetoj
vetëm të tashmen.
Unë jam mirë
me këtë gëzim të palogjikshëm
në këtë çast, në këtë vend.
Krejt i vetëm në autostradë
me rrezet e para të mëngjesit.