Home KRYESORE Kosova si dashuri dhe shpresë! Nga Arian Galdini

Kosova si dashuri dhe shpresë! Nga Arian Galdini

Mbërritëm në Prishtinë, pak minuta para se të dilte Rita Ora në skenë. Si të ndërvarur nga kafeja, u ndalëm më së pari në një bar të vogël për të gjerbur nga një ekspres të shpejtë para se të dilnim në shesh.

Spiro dhe Ylberi përveç kafesë kanë edhe ndërvartësinë fatale me duhanin.

Ia nisa të përsiatja me veten se kemi ardhur në Prishtinë, po pijmë kafenë e të disatë gjatë ditës dhe ndërkohë tymi i cigareve na ka mbuluar si mjegull mendimesh që nuk dihet ç’erëra i sollën mbi kryet tanë.

I them vetes atëherë se kafeja ekspres duket si një ritual perëndimor që ne po e kryejmë, por ndalesat e shumta për të pirë kafe pafund e për të shpenzuar kohë të gjatë nëpër kafene, na përthithin vrulltazi në orientalizëm të pastër.

Kështu jemi ne shqiptarët siç duket, ndërmjetas, ndërkufitarë kulturorë, mes dy botëve, që kafenë na pëlqen ta pijmë ekspres si italianët, por ndjetjen për kafene e duam me orë të tëra si turqit.

Kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe apo e kritikueshme. Është thjesht interesante. Është ajo çka ne jemi. Me këto lodrime “fastfood filozofie”, u çuam prej kafenesë dhe rendëm drejt sheshit ku po buçiste muzika.

Kishte aq shume njerez ne rruge e shesh saqe te dukej se e gjithe Kosova ishte aty.

U magjepsa nga mënyra sesi lëvizja e njerëzve ndërsa iknin e vinin a shkonin tutje tëhu, nuk shkaktonte kaos e as vështirësi.
Dukej sikur teksa shkëmbeheshin, ata shkriheshin me njëri tjetrin. Asnjë përplasje, asnjë vështirësi, asnjë fërkim, asnjë pengesë, vetëm shkrirje e paqtë.

Mrekulli të tillë kur fizikja dhe shpirtërorja bëheshin njësh, e trupat njerëzorë bëheshin valë, energji dhe përcilleshin tek njëri tjetri, vetëm këtë 17 shkurt, në Prishtinë, kam parë unë.

Papritmas atje lart në skenë Rita Ora ia mori valles së rugovës.
Ky ishte momenti kur e gjithë masa njerëzore në atë shesh, përveçse shkrihej ndër vedi, nisi edhe të ngrihej peshë në ajër.

Gati gati ndjeva edhe unë këmbët e mia të mos preknin më tokë.

Gjaku më vërshoi në çdo dej të trupit dhe e harrova fare konfuzionin e pakmëparshëm identitar që endet mes kafesë ekspres si italian dhe qëndrimit me orë të tëra në kafene si turk.

Ajo shkrirje e njerëzve në lëvizje, ajo brofje në ajër e të gjithëve në atë shesh si një masë e vetme, më zgjoi kushtrimin e shqiptarit brenda meje.

Asnjë konfuzion kultural, nuk ma lëkundi qartësinë e kushtrimit të shqiptarit brenda meje.

Madje as ngjyrat e flamujve të Kosovës, që ishin e valëviteshin ngado, nuk ia dredhuan udhën daljes mbi lëkurën time të kushtrimit të shqiptarit.

Aty në atë shesh, sinkronizimi trupor dhe shpirtëror i të gjithëve ishte veç shqip.

Asnjë konflikt nuk kishte mes ritmikës shpirtërore shqip dhe ngjyrave të flamurit të Kosovës, sepse aty çdo gjë ishte në vendin e vetë për arsyen e vetë dhe si instrument i shkëlqimit të kushtrimit të shqiptarit tek çdokush në atë shesh.

Bashkë me Spiron dhe Ylberin, u zhytëm në atë mrekulli harmonie dhe ndërsa shiheshim në sy, kuptoheshim se ndiheshim njëlloj.

Momenti i fishekzjarreve që u duk sikur zgjati sa një dekadë, u duk sikur shpërtheu aty të gjitha dëshirat dhe aspiratat më të mira e më të ëmbla të njerëzve në shesh.
Në qiell lëshoheshin ëndrra e prej tij binin shpresa.

Kurrë nuk e kisha çuar nëpër mend se 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të kishte të tillë përmasë magjie e magjepsjeje, a thua se po jetësohej ndonjë nga veprat e pashkruara të Gabriel Garsia Markez.

E megjithatë aty kam jetuar realizmin magjik.

Sot, i sapokthyer në Tiranë jam ende nën inercinë dhe pushtetin e përjetimit si personazh i realizmit magjik në Prishtinë.

Nuk po i shkëputem dot asaj qenësie atij përjetimi.

E vërteta është se unë kam nevojë, kam shumë nevojë për Prishtinën për të mos u ndjerë konfuz ne identitetin tim si shqiptar.

Kam nevojë për Prishtinën, edhe që të mos hargalisem e përhumbem në filozofi fastfoodi mes lindjes dhe perëndimit të sinkretuar tek pirja e kafesë.

Prishtina në këtë 10 vjetor të festimeve të Pavarësisë më rizgjoi kushtrimin e shqiptarit.

Prandaj e kam Kosovën si shpresë dhe dashuri, sepse e ndjej se prej atje do të na vijë të gjithëve neve këtu në Shqipëri, zgjimi i kushtrimit të shqiptarit.

Share: