Home KRYESORE Kush janë vrasësit e biznesmenit: Njëri ish-polic i perjashtuar dhe tjetri i...

Kush janë vrasësit e biznesmenit: Njëri ish-polic i perjashtuar dhe tjetri i arrestuar për tentative vrasje

Denis (Alban) Demiri dhe Ardian Serezi janë dy personat e arrestuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. Ai u ekzekutua më 14 Shkurt në Tiranë, poshtë pallatit ku banonte në zonën e Bllokut.

Në rolin e ekzekutorit ishte 43-vjeçari Denis Demiri, person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2012 ai u arrestua nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se po përgatiste vrasjen e një personi me të cilin kishte konflikt. Me heret, ai ka qenë i dënuar edhe për vrasje të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje me armë.

1 Prill 2012 – Alban Demiri u arrestua për tentativë vrasje për xhelozi

Alban Demiri u arrestua më 1 Prill të vitit 2012 pranë Maternitetit të Ri tek zona e “Brrylit” në Tiranë teksa përgatitej të kryente një tjetër vrasje. Në atë kohë Demiri po përgatitej të vriste shtetasin me iniciale F. A., banues në Kinostudio Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie.

“Arrestimi u bë mbi bazën e informacioneve të besueshme se ky shtetas po përgatiste të kryente vrasjen e shtetasit F. A., banues në Kinostudio Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie, të ndodhur ndërmjet tyre disa ditë më parë. Konkretisht, shtetasi Denis (Alban) Gani Demiri, u kap më datë 01.04.2012, rreth orës 22:00 me një armë zjarri në brez, të mbushur me fishekë gati për qitje, në një lokal pranë Maternitetit të Ri të Tiranës, në prani të 3 personave të tjerë. Në cilësinë e provës materiale u kap dhe sekuestrua arma e zjarrit pistoletë “TT”, me një krehër pistolete me 8 copë fishekë në të”, deklaronte Policia e Tiranës në vitin 2012.

Ndërsa 49-vjeçari Ardian Serezi ka qenë bashkëpunëtori i tij, personi i dytë që duket në kamerat e sigurisë në vrasjen e Begallës. Ardian Serezi ka qenë punonjës policie, i cili ka shërbyer në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Tiranë. Ai është arrestuar në vitin 2014 me 1 ton kanabis për trafik droge nga Lazarati.

Çfarë deklaroi deputeti i PD Flamur Noka në Shkurt 2014 për ish-policin Ardian Serezi

Flamur Noka akuzoi Ardian Serezin si person të afërt me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. “I ndaluari nga Policia e Gjirokastrës me 1 ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga Rilindja, me precedentë penalë dhe njeri i afërt i ministrit të Brendshëm. Ai njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i ministrit të Brendshëm”, deklaroi Noka në atë kohë.

Lidhur me ngjarjen e fundit kriminale, vrasjen e Memli Begallës, policia tha se shkak mendohet të kenë qenë borxhet e pashlyera, të cilat viktima u kishte personave të tjerë. Memli Begalla ka qenë biznesmen që merrej me tregtinë e gomave. Ai zotëronte biznese në Yzberisht dhe në autostradën Tiranë-Durrës. /tv Klan

Share: