Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, është shprehur se largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga gara për në sistemin e ri të drejtësisë, nuk i shfajëson ata nga përgjegjësitë e mundshme penale.
Lu thekson se largimi i çdo gjyqtari dhe prokurori të korruptuar është fitore për drejtësinë, duke shtuar se ata nuk mund të rikthehen 15 vite në këtë sistem.
Ambasadori Lu: “Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet.”
“[Vendimi për t’u tërhequr] nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetingu duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale.”
Pak ditë më parë, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla vendosi të tërhiqej nga gara për gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, çka do të thotë se ai nuk do t’i nënshtrohet procesit të vettingut.