Home KRYESORE Pedagogët paralajmërojnë grevë/ Mark Marku: Universiteti në vitet…

Pedagogët paralajmërojnë grevë/ Mark Marku: Universiteti në vitet…

Universiteti i Tiranës është duke u përballur me një situatë të paprecedent, ose siç thotë pedagogu i Gazetarisë, Marku Marku me vitet e tij më të këqija që nga ’90. Sipas tij, me ligjin e arsimit të lartë janë prishur ekuilibrat pasi bordi i administrimit financiar nuk pyet as për senat e as për rektor. Në një intervistë për Opinion.al, Marku tha se është ngritur grupi negociator dhe nëse qeveria nuk dialogon për të gjetur një zgjidhje, pedagogët do të hidhen në grevë.

Eshtë rast i paprecedent që pedagogët të mbeten pa paga.A mund të na thoni se çfarë ka ndodhur me administrimin e UT?

Vonesa me pagat është sa problem i bordit te administrimit aq edhe i qeverisë shqiptare e cila nuk kishte nxjerrë aktet nënligjore që bëjnë të mundur zbatimin e ligjit. Bordi ka përgjegjësi sepse si institucion menaxhues i UT-së nuk ka bërë asgjë që kjo të mos ndodhë. Për më tepër ai nuk ka denjuar të njoftojë rektorin, dekanën, senatin, profesoratin dhe personelin ndihmës të UT-së për anomalinë e krijuar.
Por problem themelor në universitet nuk është mungesa e pagave por keqmenaxhimi dyvjecar i universitetit nga bordi. Ky bord dhe administratori i UT-së me paaftësinë e tyre kanë bllokuar UT-në. Për shkak të paaftësisë së tyre është dëmtuar procesi mësimor dhe sot kushtet e mësimdhënies janë më të këqija se në vitet më kritike të Shqipërisë në vitet 89-92 apo në vitet 97-98. Kjo është arsyeja pse është e domosdoshme dorëheqja e bordit.

Cili është konflikti mes UT dhe Ministrisë?

Ligji për arsimin e lartë e ka ndarë administrimin financiar të universiteteve publike nga strukturat menaxhuese akademike. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Madje një gjë e tillë ishte e domosdoshme. Por problem është se ligji nuk ka krijuar ekulibrat e duhur në raportet mes tyre dhe praktikisht strukturat e menaxhimit financiar në vend që të japin llogari para organeve të zgjedhura akademike si asambleja, senati, rektorati dhe dekanati kërkojnë të shndërrohen në një strukturë që kontrollojnë gjithçka dhe u mbivendosen organeve të zgjedhura me votë të përgjithshme. Kjo i ka bërë ata aq arrogantë sa nuk njohin asnjë autoritet tjetër veç vetes. Kjo është arsyeja pse është bllokuar universiteti publik dhe pse ai po shkon drejt kolapsit.

A mendoni se ka përpjekje për të centralizuar universitetin publik?

Po praktikisht ky është një centralizim i hapur dhe në kundërshtim me kushtetutën pasi cënon autonominë universitare dhe liritë akademike

Si do të përballet komuniteti i pedagogeve me qeverine në këtë rast?

Nga takimi që patëm dje ne vendosëm që të hapim një debat dhe dialog me qeverinë, me strukturat univeristare dhe me të gjithë aktorët publikë për gjendjen e UT-së. Kemi ngritur edhe një grup negociator por nëse qeveria nuk i përgjigjet vullnetit tonë për të bashkëndarë përgjegjësitë atëherë ne do kërkojmë nisjen e një greve të përgjithshme. Ne duam dialog për zgjidhje, por nëse nuk e gjejmë vullnetin për një gjë të tillë nuk ka rrugë tjetër. Jemi të vendosur për këtë!

/Riviera Dedaj-Opinion.al

Share: