Home KRYESORE “Ranishtja 2” , policia jep detaje: Ja skema e tjetërsimit të pronave

“Ranishtja 2” , policia jep detaje: Ja skema e tjetërsimit të pronave

Drejtori i Krimit Ekonomik, Lutfi Minxhozi, të martën pasdite ka sqaruar se Drejtoria e Policisë së Shtetit kishte kërkuar prej kohësh nga Prokuroria e Kavajës që të merrej masa e ekzekutimit të vendimeve për ndalimin e disa zyrtarëve, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar dokumentet në vijën bregdetare në Spille.

Në një deklaratë për mediat, Minxhozi bëri me dije se janë ndaluar tetë zyrtarë, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.

Ai tha se në bazë të një hetimi rreth 1-vjeçar, ka rezultuar se këta zyrtarë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe tjetërsuar rreth 110.000 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille, Kavajë.

Deklarata

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, rezulton se ata kanë përfituar në mënyrë të kundraligjshme pasuri të tjetërsuar në bregdet, nga toka pyje, tokë ranisht dhe tokë pa frut, në tokë are. Kjo sipërfaqe ndodhet në vijën bregdetare Spille, Kavajë dhe fshatrat përreth.

Për zyrtarët janë ngritur akuzat për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, “Falsifikimit të Dokumenteve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim.

Megjithëse Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit kishte kërkuar me kohë, pranë Prokurorise së Kavajës vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për të gjithë të akuzuarit e mëposhtëm,

Prokuroria e Kavajës ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kavajë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për zyrtarët e administratës shteterore.

– Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë, ish drejtori i ZVRPP, Kavajë.

– Aldo Kila, 27 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me detyrë Jurist në Z.V.R.P.P, Kavajë.

– Shpendi Dema, 31 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë Jurist në Bashkinë Rrogozhinë.

– Arben Daja, 51 vjeç, lindur dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë Sekretar dhe Protokollist në Bashkinë Rrogozhin.

Për masën e sigurisë “Arrest shtepie”, për:

– Julian Zhelegu, 44 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë, Noter pranë dhomës së Noterisë Tiranë.

U mor gjithashtu masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Beqir Nuredini, lindur në Rrogozhinë dhe banues në Tiranë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.

Për shtetasin me iniciale A.A. noter pranē Dhomës së Noterisë Durrës u mor masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publike”.

Gjykata dha masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin me inciale A.K, me detyrë Inspektor i Mbrojtjes së Teritorit Vendorë, Bashkia Rrogozhinë.

Jane shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy shtetasve të tjerë.

– A.T, me banim në Rrogozhinë, me detyrë Kryeinspektor i Mbrojtjes së Teritorit Vendorë, Bashkia Rrogozhinë.

– I.K., administrator i një subjekti privat.

Punonjësit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një siperfaqe prej 11.000 m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Are” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundraligjshme të kësaj siperfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.

Gjatë hetimeve paraprake, dokumetohet bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Bashkisë Rrogozhinë, të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve tê ZVRPP Kavajë.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë are, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.

Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht zyrtarët e proceduar identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.

Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentat e pronësisë.

Vazhdon puna për identifikimin zyrtarëve e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet Kriminal.

Share: