Nga Edison Balla
Alarmi i celularit bie. Ora pesë duhet të ngrihem, por ndërkohë shumë pyetje më vijnë në mendje. A do të lodhem edhe sot si dje? A do të jetë shumë i ftohtë mëngjesi? A do mund të ngjitem nëpër “furnele” pa u dëmtuar, siç më ndodh shpesh?
Shumë pyetje më vijnë e më ikin nga mendja, por vetëm njëra nga ato më shoqëron pothuajse gjithë ditën. A do të dal i gjallë nga ajo galeri, ku shumë para meje kanë vdekur e janë harruar, janë varrosur e janë tretur, të vjetër dhe të rinj, bulqizakë dhe jo vetëm, prindër por edhe beqarë. Ndërkohë që i përgjumur mendohem, dëgjoj hapat e nënës time nga dhoma tjetër për t’më lajmëruar që të ngrihem dhe për t’më dhënë si çdo ditë, përqafimin e ngrohtë të mëngjesit dhe uratën për tu kthyer shëndoshë e mirë nga ajo galeri e cila është shndërruar në makthin e çdo nëne, se mbase mund të jetë dita e fundit që përqafon djalin e saj.
-Ndërkohë që dal nga shtëpia me kokën pas porsi një refugjat i përhumbur, menjëherë vjen furgoni i linjës që bën transportin e punëtorëve nga fshati në qytet, udhëtim ky që zgjat afro një orë. Furgoni është i mbushur me të rinj që e shohin galerinë si të vetmin burim jetese, nga e cila nxjerrin kafshatën e gojës për veten dhe familjet e tyre. Brenda në furgon askush nuk flet, e vetmja zhurmë që dëgjon janë dridhjet dhe rropatjet e sendileve që vijnë si pasojë e gropave që gjenden në rrugën e degraduar nga vitet. Sheh vetëm fytyra të zverdhura e të përgjumura, të zhgënjyer nga e tashmja dhe të pashpresë se një e ardhme më e mirë mund të jetë rezervuar për to.
Edhe pse ora është 6 ( gjashtë ) e mëngjesit, “qyteti i minatorëve” gumëzhin nga numri i madh i punëtorëve që vijnë pothuajse nga çdo zonë fqinje me rrethin e Bulqizës. Lokalet janë të tejmbushura dhe zor gjen një tavolinë boshe për të pirë kafen e mëngjesit. Ulem aty në një kafe në qendër të qytetit me shokët e mi të vjetër të gjimnazit, që ashtu si unë punojnë në galeri dhe ata. Si për çudi edhe aty askush prej nesh nuk flet, fundja për çfarë mund të flasim. Për jetën e mirë që bëjmë apo për tonelatat me krom që nxjerrim për të pasuruar dhe kënaqur egon e të paudhëve ?
Aty rreth orës shtatë nisem nga qyteti, për të arritur më pas në Zonën D, zona mineral-mbajtëse më e dalluar në Bulqizë. Në minibuzin e punës të mbushur plot e përplot me punëtorë, muhabetet e vetme që të dëgjojnë veshët janë diskutimet rreth inventarit të djeshëm të kromit, dhe objektivave që synojnë të përmbushin për ditën e sotme, a thua po e nxjerrin për vete kromin e jo për ca gjakpirës të neveritur. Ndonjëherë më vjen të ngre zërin për gjithë këto padrejtësira që bëhen, por sapo kthej kokën në anën tjetër shoh përgjegjësin i cili nuk harron të dëgjoje dhe përçojë çdo fjalë.
Pasi zbres në vendin e quajtur “Piecale” shpejtoj hapat për tu ngjitur sipër, afër hyrjes për në tunelin e errët të galerisë. Aty afër gjendet një barakë e sajur, ku era e ftohtë dhe e acartë hyn nga çdo anë. Shpejtoj të ndërrohem, pasi përgjegjësi i punës na komunikon që të futemi sa më para në galeri. Mesa duket pronari ka dhënë urdhër që të rritet norma e punëtorëve, pasi milionat e nxjerra nuk e justifikojnë jetën e luksit dhe makinat e shtrenjta me të cilat ata dhe fëmijët e tyre kapërdihen nëpër qytet, pa e vrarë shumë mendjen për punëtorët që nuk i mbajnë këmbët nga lodhja e jo më të kenë makina.
Ashtu, të bindur dhe kokëulur, futemi në galeri ku menjëherë ndien ujin e ftohtë që të bie nga sipër e të bën qull akoma pa filluar punën. Temperaturat disa gradë nën zero të bëjnë të shpejtosh hapat për tek vendi i punës, që të fillosh të punosh për të luftuar të ftohtin e nëntokës. Tuneli nga hyrja për tek vendi i punës është plot 8 km, por sot më kanë caktuar të punoj në nënkatin e tetë, dhe për të shkuar atje më duhet të ngjis shumë furnele e “hapësina” që janë një hap larg vdekjes. Gjysma e së keqes që sot më kanë caktuar të punoj me një ortak që më “hahet” shume muhabeti, do lodhemi e do rraskapitemi si çdo ditë, por të paktën do shkëmbejmë dy fjalë të mira.
Ortaku im, edhe pse vetëm dy vite më i madh se unë në moshë thotë se tashmë është bërë ekspert në këtë punë, pavarësisht dëmtimeve dhe lëndimeve trupore që tregon se i ndodhin çdo ditë. Fillojmë të punojmë e të “hahemi me shpirtin” pasi duhet të realizojmë normën, përndryshe e nesërmja na gjen pa punë dhe pa kafshatën e gojës. Në këtë vend që po punojmë, mesa duket kromi është i gatshëm që në kohën e “xhaxhit” dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën që ta zbresim deri në nivel. Vazhdojmë ashtu intensivisht, por të pashpresë se diçka do ndryshojë në këtë vend të kapur nga bandat.
Një ditë më tepër ikën, një ditë akoma të gjallë, një ditë më tepër pasurim për të paudhët. Ndërsa për ne, një ditë pa shpresë, një ditë pa të ardhme.
edisonballablog.wordpress.com