Prokuroria e Tiranës thellon hetimet për skandalin e e privatizimit të kompanisë CEZ-Shpërndarja.
Mbrëmjen e sotme, ashtu edhe siç ishte parashikuar në fletë-thirrjen e organit të akuzës, është paraqitur në institucion për të dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për këtë çështje, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Burime nga kjo prokurori bënë me dije se seanca e marrjes në pyetje nisi në orën 18:00, kur një makinë u fut brenda godinës dhe nga ajo besohet se zbriti Berisha.
Dëshmia është dhënë para prokurorit të dosjes Ardian Braho. Nuk jepen detaje të tjera për dëshminë që u dha dhe pyetjet që iu bënë. Në zyrën e prokurorit gjatë gjithë mbrëmjes ka pasur dritë, ndryshe nga katet e tjera, pasi orari zyrtar kishte përfunduar në orën 16:00.
Por duket se kjo periudhë kohore është dakordësuar mes palëve për shkak të mbajtjes larg të vëmendjes së medias dhe publikut.
Lajmi për thirrjen e Berishës në prokurori u publikua një javë më parë dhe vetë djali i ish-kryeministrit bëri një postim në rrjetet sociale, ku e quante procesin politik. Komisioni Hetimor që ngriti mazhoranca konstatoi se Berisha është i implikuar në skandalin e privatizimit të CEZ dhe ka dijeni për pazaret që janë bërë mes palëve, pasi në atë kohë kryeministër ishte babai i tij.
Por prokuroria e ka thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me sekserin Nue Kalaj dhe persona të tjerë të përfshirë dhe që po hetohen.
Nga verifikimet e kryera rezulton se makina “BMË” me të cilin Berisha u largua nga institucioni i përket ish-deputetit demokrat, Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD. Edhe kjo zgjedhje duket se është bërë për të mos rënë në sy dhe që gjithçka të mbahej e fshehtë. Seanca e pyetjeve ka zgjatur rreth dy orë. a.q/dita