Home KRYESORE Skandali me rrugët, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ministri Gjiknuri

Skandali me rrugët, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ministri Gjiknuri

Ministri i Energjitikës Damian Gjknuri ka mbërritur para pak minutash në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Para tij në Prokurori u morën në pyetje edhe ish-ministrat, Edmond Panariti, Sokol Dervishaj dhe Genc Ruli.

Gjiknuri, ka bërë edhe kallëzimin për abuzimet me rrugët.

Të enjten dëshmuan në Prokurori tre ekspertët e auditit të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan, janë në pranga tre ish-zyrtarë: Dashamir Xhika, që ka qenë drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Albens Alite dhe Aksel Qurduka, dy ish-drejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë.

Për këtë abuzim gjenden në masë sigurimi “arrest me burg” të tre ish-zyrtarët. Nga të akuzuarit, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat.

Tre ish-zyrtarët kanë bërë disa amendime të kontratave për ndërtimin e rrugëve, duke sjellë shtyrjen e afateve të tyre dhe për pasojë, edhe dëme. Gjithashtu, Prokuroria evidenton si një shkelje të rëndë edhe kryerjen e punimeve nga firmat e ndryshme, duke mos pasur më parë një burim financiar.

Kjo shkelje është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Dashamir Xhikës, ku në një moment të dytë, është bërë likuidimi i firmave për punime të kryera më parë. Ligji e ka të përcaktuar qartë se punimet kryhen pas lëvrimit të fondeve dhe jo para tyre.

Prokuroria konstaton se Xhika ka shmangur edhe Bordin Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një tjetër shkelje është edhe situata e krijuar pas rrëshqitjeve të dherave në vitin 2014. Për këtë situatë, ka pasur vonesa në vendimmarrje për zgjidhjen teknike të problematikës nga Këshilli Teknik i ARRSH-së.

Share: