Kërkesë për shqyrtim dhe marrjen e masave për ndryshimin e situatës së familjeve në nevojë, të lëna jashtë sistemit të ndihmës ekonomike.
Tiranë, më 14 shkurt 2018
Z. GRAMOZ RUÇI
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Z. EDI RAMA
KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
Z. TAULANT BALLA
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË SOCIALISTE
Z. EDMOND SPAHO
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Z. PETRIT VASILI
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË LËVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM
Z. FATMIR MEDIU
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË REPUBLIKANE
Te nderuar,
Skema e re e ndihmës ekonomike, e vënë në zbatim nga muaji janar i këtij viti, ka krijuar një shqetësim në rritje tek familjet në nevojë. Problematika është ndeshur në pjesën derrmuese të bashkive në vend dhe rrezikon të kthehet në një reaksion zinxhir nëse nuk merren masat e duhura për ndryshimin imediat të kësaj skeme.
Në cilësinë e kryetares së Shoqatës të Bashkive të Shqipërisë, kam komunikuar me kryetaret e bashkive që listojnë si probleme të përbashkëta të zbatimit të skemës së re ekonomike, si më poshtë:
1. Sistemi nuk ka informacion te përditësuar në lidhje me personat e regjistruar pranë zyrave të punës si punëkërkues të papunë. Janë hequr padrejtësisht familje që i kanë të gjithë anëtarët të papunë.
2. Sistemi nuk ben dallimin mes punëkërkuesit dhe studentit (me vertetim shkolle), pasi studenti nuk ka detyrim regjistrimi në zyrën e punësimit si punëkërkues. Kështu janë hequr nga skema padrejtësisht të gjithë familjet që kanë fëmijët student, familje të varfëra dhe pa të ardhura familjare.
3. Sistemi nuk ka të dhënat e përditësuara mbi pronësinë e automjeteve. Kjo ka shkaktuar përjashtimin e padrejtë të familjeve që nuk disponojnë realisht mjete.
4. Sistemi gjeneron familje që rezultojnë me dy gjendje civile (në dy qarqe ose në dy bashki të ndryshme). Rastet e familjeve që kanë anëtarë të burgosuar janë përjashtuar padrejtësisht.
5. Sistemi është jo transparent. Askush nuk ka informacion lidhur me kriteret e llogaritjes së pikëve. Sistemi i pikezimit nuk sqaron pamjaftueshmërinë e pikëve për familjet me një ose me më shumë antarë. Kjo ka shkaktuar konfuzion dhe revoltë për të gjithë familjet që janë përjashtuar dhe që deri më tani Bashkitë i kanë trajtuar me ndihmë ekonomike.
6. Sistemi nuk favorizon familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim. Përgjithësisht sistemi ka penalizuar gratë kryefamiljare më në nevojë.
7. Sistemi ka penalizuar një numër shumë të madh të familjeve qe kanë në përbërjen e tyre persona me aftësi ndryshe ose invalidë pune.
Duke qenë drejtpërdrejtë në territor, në kontakt me qytetarët, ndjeshmëria jonë ndaj këtij problemi është e madhe, reflektuar direkt nga kontaktet ballë për ballë me njerëzit. Kujtojmë se skema e re ekonomike, e cila duhet të ketë si parim kryesor zbutjen relative të varfërisë në familjet në nevojë, po bën të kundërtën duke e thelluar atë.
Qëllimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, besojmë edhe i juaji si ligjvënës, qeveritarë apo edhe politikanë, është të ndikojmë në përmirësimin e standarteve të jetës së qytetarëve tanë.
Nisur nga kjo, ju kërkojmë që të ndërmerrni sa më shpejt të jetë e mundur hapat e mëposhtëm për tejkalimin e situatës së krijuar si rezultat i dështimit në zbatim të skemës së re të ndihmës ekonomike:
1- Pezullimin e menjëhershëm të kësaj skeme që në vend të zbutjes e thellon varfërinë.
2- Shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të Shërbimit Social Shtetëror për ndihmën ekonomike të muajit janar për të gjithë bashkitë në gjithë Shqipërinë.
3- Rishikimin e kuadrit normativ për ndihmën ekonomike në koordinim dhe konsultim me Shoqatat e Bashkive.
Nga ana tjetër, kemi të dhëna të mjaftueshme për të ngritur dyshimin tonë se nëpërmjet kësaj katrahure, me gjoja “skemën e re të ndihmës ekonomike”, po tentohet të shkurtohen fondet për pjesën më vurnerabël të shoqërisë tonë, familjet në nevojë. Me një logjikë të thjeshtë, nëse numri i famljeve përfituese për muajin janar është ulur mesatarisht në shkallë vendi me 50%, po kaq do të shkurtohet edhe fondi i buxhetit të shtetit për ndihmën ekonomike.
Si Shoqatë e Bashkive të Shqipërisë, nuk duam kurrsesi të politizojmë një çeshtje kaq të rëndësishme për një pjesë jo të vogël të komuniteteve tona lokale. Ata që janë penalizuar nga skema nuk janë vetëm demokratë apo vetëm socialistë, nuk janë banorë vetëm ne territorin e administruar nga opozita por edhe nga mazhoranca aktuale. Në këtë kuptim, po flasim për një problem të mprehtë social, i cili nëse nuk merr zgjidhjen e duhur dhe në kohën e duhur, mund të ketë pasoja të rënda. Në Shkodër por edhe në bashki të tjera, zyrat rajonale të Sherbimit Social Shtetëror tanimë janë “rrethuar”, me të drejtë, nga qindra e mijëra banorë të cilëve u është prerë në kuptimin e plotë të fjalës “buka e gojës”.
Sa më sipër, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, ju kërkon të merrni menjëherë në konsideratë shqetësimin e përcjellë nga ne në emër të qytetarëve.
Në vijim, kërkojmë të bëhen të gjitha ndryshimet/korrigjimet e nevojshme edhe në aspektin ligjor, në koordinim dhe ndërveprim të plotë e të sinqertë me përfaqësuesit direkt të qytetarëve që janë kryetarët e Bashkive, Keshillat Bashkiakë në mbarë vendin.
KRYETARE
Voltana Ademi