Home KRYESORE ‘Zeri i Amerikës’ tregon si i shpëtoi Llalla vettingut falë interpretimit të...

‘Zeri i Amerikës’ tregon si i shpëtoi Llalla vettingut falë interpretimit të Kushtetueses

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu komentoi sot kërkesën e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të mos qenë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Duke folur për televizionin “News 24”, ambasadori amerikan u shpreh se “vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”.

Fundjavën e shkuar zoti Llalla njoftoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë shqiptare. Ligji parashikon që pas përfundimit të detyrës, Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet gjykatës i Apelit. Këtë njoftim zoti Llalla ia ka nisur për dijeni dhe organeve të ngarkuara me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur edhe me termin Vetting. Ish Prokurori i përgjithshëm është në listën e drejtuesve të Lartë të sistemit të Drejtësisë emrat e të cilëve po i nënshtrohen këtij procesi.

Tërheqja për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë duket se mund t’i japë atij mundësinë që verifikimet ndaj të ndërpriten, ndonëse ky rast mund të hapë polemika mbi interpretimin e ligjit, i cili parashikon që “subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji… Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”. Por ky nen u analizua nga Gjykata Kushtetuese, kur vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndër të tjera dhe shprehjen “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën për shfuqizim, duke e quajtur nenin plotësisht kushtetues, por në interpretimin e saj Gjykata thekson se “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”. Në një rast të tillë sipas Gjykatës Kushtetuese zbatohen parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës sipas së cilit “subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Sipas ambasadorit amerikan “tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu. Gjatë vitit të fundit të tij në detyrë, zoti Llalla pati përplasje të forta publike me ambasadën amerikane. Atij ju refuzua viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ambasadori amerikan e akuzoi hapur se prej kohësh ishte angazhuar kundër Reformës në Drejtësi, ndërsa për largimin e tij nga detyra ambasada amerikane u shpreh se “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.

Zoti Llalla u largua nga detyra dy muaj më parë në përfundim të mandatit, ndërsa zëvendësimi i tij me një drejtues të përkohshëm, zonjën Arta Marku u shoqërua me polemika të forta dhe kundërshtime nga ana e opozitës, sipas së cilës qeveria po vendoste kontrollin mbi Prokurorinë./VOA

Share: