Home KRYESORE Drejt Rregjimit Rama apo drejt shtetformimit? Nga Artur Zheji

Drejt Rregjimit Rama apo drejt shtetformimit? Nga Artur Zheji

Mund të thuhet çdo gjë e keqe për periudhën komuniste në Shqipëri. Porse Hoxha, krijoi “shtet”, me ideologjinë e Shqipërisë së Re, me zjarr dhe me hekur, me pushkatime, burgime, internime dhe propagandë të fuqishme trushplarëse.

Në përqëndrimin më të madh të pushtetit të vet, Hoxha, plotësoi një cikël spastrimesh, në rradhët e partisë së vet të Punës, të të gjithë atyre që kishin një farë personaliteti dhe një histori të tyren që lidhej me luftën nacional-çlirimtare, që dhe ishte kulti moral i pushtetit popullor, apo diktaturës së proletariatit…

Sot një çerek shekulli e më shumë më pas, po përjetohet një sprovë e re.

Duket sikur në emër të shtetformimit, nevojë kjo natyrale e një vendi shpesh herë anarkist dhe rrëmujaxhi, shkelës të pasionuar të çdo ligji, kryeministri dhe kryetari i ish partisë së Punës, po realizon hap pas hapi, ngrehinën e një rregjimi personal.

Mediat, në shumicën e vet me pronarë, që kanë interesa ekonomike që nuk lidhen me mediat, por me ndërtimet dhe me sekserllëqe të ndryshme shumë fitimprurëse, janë bërë kush më shumë e kush më pak, ndihmëset e këtij regjimi, duke i bërë jehonë të pandërprerë kryeministrit showmen.

Partia Socialiste e sotme është një parti e spastruar.

Një parti memece, që flet vetëm me zërin e kryeministrit dhe me zërat e atyre, që kanë fituar konkursin në PS: “Kush flet njësoj si kryeshefi!”

Por kjo nuk i mjafton kryeministrit ambicioz.

Ai kërkon një administratë gjithmonë e më besnike dhe gjithmonë e më mekanike, që zbaton dhe nuk mendon.

Ai kërkon një Polici të Shtetit, që ta nderojë atë ushtarakisht dhe ti bindet verbërisht liderit supreme dhe të plotëfuqishëm.

Kryeministri i “gjithëditur” kërkon të shfaqet rezatues dhe si një barì fuqiplotë i popullit të vet, mundësisht kope delesh, të cilat të ndjekin stapin dhe fishkëllimën e tij drejtuese, në fushë, në livadh dhe në greminë.

I gjithë ky proces, që ka edhe elementë të shtuar të dhunës, përmes bukës së gojës, përmes karierave të kushtëzuara, përmes spiunimeve trasversale dhe me përdorim të shpenguar të dhunës shtetërore: “në emër të ligjit!”, ligj që zbatohet në mënyrë përzgjedhëse dhe godet kryesisht kundërshtarët politikë të kryeministrit, i gjithë ky proces pra, po i jep frutet e veta.

Ndërkohë, mjaft nga vrasësit e mëdhenj janë të lirë, pasi përbetohen për besnikëri ndaj pushtetit dhe janë edhe sot, në shërbim të pushtetit dhe frikësojnë popullin, aq herë sa duhet, përmes bandave të tyre.

Në këtë panoramë të zymtë, lideri-kryeministër ndrron kostumet dhe kollaret dhe përsos fjalimet elokuente, për Shqipërinë-çiflig që është shndërruar në një dramë, ku autori dhe protagonisti kryesor është vetëm kryeministri.

A është ky rregjimi? /360grade.al/

Share: