Home KRYESORE Erdogan i prerë, i vë kusht SHBA-së per Kurdistanin

Erdogan i prerë, i vë kusht SHBA-së per Kurdistanin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia ka siguruar kontroll mbi tre të katërtat e rajonit të Afrinit në veri të Sirisë në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia ka zgjidhur pjesën më të madhe të çështjes së Afrinit. Deri më tani kemi siguruar kontrollin e tre të katërtës së rajonit të Afrinit”, tha Erdoğan në fjalën e tij në kongresin lokal të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Erzurum.

Erdoğan tha se synojnë kontrollin e plotë të Afrinit dhe që popullata e rajonit të vendoset në shtëpitë tyre.

“Ne nuk kemi synim territorial”, tha Erdoğan, duke shtuar se tanimë Turqia do t’i zgjerojë dhe përforcojë pikat e vëzhgimit në Idlib dhe në të njëjtën kohë do të drejtohet kah Munbixhi.

Presidenti turk poashtu foli edhe në lidhje me praninë e terroristëve në pjesën lindore të Lumit Eufrat në Siri.

“Nëse SHBA dëshiron të bashkëpunojë me ne kundër terrorizmit, atëherë duhet të fillojë duke i larguar terroristët nga lindja e Eufratit”, theksoi ai.

Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe të DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.

Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.

Sipas shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

Ushtria gjithashtu ka thënë se “rëndësi të madhe” është duke i dhënë të mos dëmtohet asnjë civil dhe se janë duke i shkatërruar vetëm objektivat terroriste./360grade.al

Share: