Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të zgjasë me 3 muaj afatin e hetimeve për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jael Çela. Ai është i dyshuar për lidhjet e tij me pjestarët e bandës Habilaj, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Vendimi është marrë sot, pas kërkesës së prokurorit Dritan Premçi. Ai tha se momentalisht po kryhen transkriptimet e dy viteve që Çela ka qenë nën përgjim. Në kuadër të këtyre hetimeve, janë nisur edhe letër – porosi drejt Italisë dhe Greqisë, dhe pritet përgjigja e shteteve fqinje.
Seanca e radhës për Çelën është caktuar më 19 mars, ndërsa ky i fundit vijon të jetë në arrati. Nga ana tjetër avokati mbrojtës i Çelës është pretendon se nuk është njohur me faktet implikuese.
“S’jemi njohur me faktet. Janë duke u transkriptuar përgjimet telefonike te Jealdit dhe grupit Habilaj për të parë implikimin e tij lidhur me akuzat. Klienti im nuk mund te implikohet për një mesazh urimi”, tha avokati i Çelës.
Ish-drejtori i policisë së Vlorës dyshohet se i kishte dërguar një sms urimi Moisi Habilajt. Urdhër-arrestet për Jaeld Çelën dhe dy ish-zyrtarë të tjerë të policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode u lëshuan në nëntor të vitit të kaluar, por ata janë ende në kërkim. Çela dyshohet se është larguar jashtë vendit menjëherë pas lëshimit të urdhër-arrestit nëntorin që lam pas.