Home KRYESORE Kryetarja e Bashkise Shkoder i shkruan ministrit te zgjedhur ne kete qytet...

Kryetarja e Bashkise Shkoder i shkruan ministrit te zgjedhur ne kete qytet te permbytur

Z. Ditmir, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme,

Edhe pse mund ta kesh dëgjuar përmes mediave, po të kujtoj se ka mëse dy javë që Bashkia e Shkodrës, me votat e banorëve të të cilës ti je zgjedhur edhe deputet, është e përmbytur në një pjesë te madhe të territorit të saj.

Jo si ministër, por si deputet ke patur detyrimin që të vish të paktën një herë, një orë te vetme, për të parë situatën e këtyre banorëve, edhe në Velipojë. Edhe fotot që ti publikon, duhet ti ketë dërguar dikush. Sepse pavarësisht të gjithave, nuk dua të besoj se ke qenë në Velipojë, qoftë edhe për dreke peshku dhe nuk ke parë nga afër që në Baks i Ri, janë mëse 20 ha të përmbytura dhe që niveli I ujit vazhdon të rritet nga ora në orë.

Nuk dua të besoj se ke kaluar nga “Harku i Bërdicës” drejt Velipojës dhe nuk të kanë rënë në sy qindra hektarë nën ujë në Berdicë, Anën e Malit, Dajç. Sepse përmbytjet kanë arritur në mbi 2500 ha dhe mund të shihen nga larg duke të krijuar idenë e një liqeni të mbushur nga uji i shkarkuar nga hidrocentralet.

Nuk kam dëshirë ta besoj se sot ke qenë në Shkodër dhe nuk të ka shtyrë kureshtja të marrësh pjesë në mbjedhjen e përditshme të Komisionit të Emergjencave, ku mund të kishe shfrytëzuar praninë e mediave për t’ ia thënë ballë për ballë atë që postove në Facebook kryetares së Bashkisë.

Ditmir,
Jam e bindur se si pjesë e qeverisë, as ti nuk mund të bësh përjashtim. Kanë kaluar dy javë që mijëra banorë janë të detyruar të jetojnë në mes të ujit dhe as ty, as ndonjë kolegut tend në qeveri dhe i zgjedhur me votat e shkodranëve, nuk I ka vajtur as në mendje të vijë në zonat e përmbytura. Për të mos folur për shefin tënd, i cili nuk shpall as gjendjen e emergjencës civile, edhe pse sipas IGJEUM (që nuk është politik) situata do të jetë në përkeqësim të paktën deri me 22 mars.

Nuk është momenti të bëjmë politikë, sidomos me foto të dërguara nga Shkodra dhe të postuara nga Tirana për Velipojën, ku uji vetëm sot është tërhequr pasi kishte mbuluar edhe shëtitoren. Por nuk të vë faj sepse ty Shkodra tu desht vetëm sa për t’i marrë votën, për të vijuar jetën në Tiranë si ministër. Përmbytja nuk ka kursyer as të djathtë e as të majtë sepse ne i takojmë e shërbejmë çdo ditë dhe përpiqemi t’i lehtësojmë peshën e rëndë që u ka rënë prej mëse 2 javësh.

Nuk do ta imagjinoja kurrë se edhe një situatë të tillë do ta shfrytëzoje për politikë.

Voltana Ademi, Kryetare e Bashkise Shkoder

Share: