Home KRYESORE Kryministri Rama 2, Ekipi i FMN – së dhe, A i dëgjon...

Kryministri Rama 2, Ekipi i FMN – së dhe, A i dëgjon ekspertët ky Kryeministër?!

Do të ishte lajmi i Vizion Plus i orës 19.00 i datës 20 mars 2018 në lidhje me sugjerimin e ekipit të FMN – së bërë Qeverisë Rama 2, në lidhje me shpërqëndrimin e Administratës Tatimore për t’u marrë me bizneset e vegjël mbi kufirin e qarkullimit vjetor prej 2 milion lekë.

Ka një histori të tërë në lidhje me këtë marrëzi dështimi, që ka prekur disa qeveri radhazi dhe tani preku edhe Qeverinë Rama 2, veçanërisht, pas dështimeve me aksionet e katër viteve të Qeverisë Rama1!!!

A i dëgjon ekspertët ky Kryeministër?!

A ka këshilltar ky Kryeministër?!

Mesa duket, kryeministrat e Republikës së Shqipërisë, duhet të bëjnë ndonjë kurs trajnimi?!

Por pse ekipi i FMN – së e ngre shqetësimin në fjalë?

Po përpiqem, me dashamirësi, të argumentoj “përsenë” e sugjerimit, bazuar në përvojën e gjatë personale në Administratën Tatimore.

Administrimi i politikave tatimore luan një rol kyç në rritjen e të ardhurave tatimore, në restaurimin e balancës makroekonomike dhe për këtë arsye ndryshimet në politikën tatimore duhet të përputhen me kapacitetin administrativ në një vend në një tranzicion të gjatë.

Ndryshimi i pragut të regjistrimit për TVSH nga 8 në 5 milion lekë/vit (një kthim prapa nga kalimi nga 5 në 8 milion lekë shumë vite më parë) kishte për qëllim inkurajimin e formalizimit dhe rritjen ekonomike të bizneseve të vegjël.

Por, ndryshimi i pragut të regjistrimit të TVSH – së në kuadër të përfitimit të një baze më të gjërë tatimore, në një periudhë afatmesme deri afatgjatë, nuk dëshmoi se kompensoi kostot e larta të administrimit të tatimpaguesve të biznesit të vogël si dhe rritjen e kapacitetit dhe aftësive profesionale të kufizuara të tatimpaguesve të biznesit të vogël përsa i përket kulturës së zbatimit të standarteve të kontabilitetit, gjë që u pranua nëpërmjet kumtesave të ndryshme në konferencën shkencore të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit në vitin 2011.

Zbatimi i sistemit të vetë – vlerësimit të TVSH – së kërkon mbajtjen e librave kontabël dhe të dhënave që shumë biznese të vegjël mund të mos jenë në gjendje t’i sigurojnë pa specialistët e kontabilitetit.

Studimi i fundit, mbi baza empirike, i bërë nga ekspertët e disa vendeve anëtare të BE – së, doli në përfundimin se, mesatarisht, një biznesi me më pak se dhjetë punëmarrës i duhet të përballet me një barrë tatimore (të matur për një punëmarrës), afërsisht, dy herë më e lartë se barra e një biznesi me më shumë se dhjetë punëmarrës, por më pak se njëzet punëmarrës dhe tre herë më e madhe se një biznes me njëzet punëmarrës, por me më pak se pesëdhjetë punëmarrës.

Për biznese me më shumë se pesëdhjetë punëmarrës, barra e zbatimit të legjislacionit tatimor për një punëmarrës është vetëm një e pesta e biznesit të vogël.

Studimi arriti në përfundimin se bizneset e vegjël të vendeve anëtare të BE – së kanë një kosto me një koefiçent prej 30.9 për qind (raporti ndërmjet kostos totale të zbatimit të legjislacionit fiskal kundrejt të gjithë tatimeve të paguara), ndërsa bizneset e mëdha koston e kanë me një koefiçent prej 1.9 për qind.

Pra, lëvizja e bizneseve të vogla nga tatimi mbi biznesin e vogël nëpërmjet të tatuarit me TVSH, nuk është një proces i thjeshtë që mund të zbatohet lehtësisht prej tyre sepse është më i shtrenjtë se tatimi i marrë me mend, që në vitin 2005 u konsiderua si zgjidhja më e përshtatshme për një vend në tranzicion me një sektor të konsiderueshëm informal.

Hartimi i ndryshimeve është i domosdoshëm kur bën të mundshëm përmirësimet administrative, sepse pa reformën e përditëshme të administrimit, nuk mund të ndërtohet kultura e zbatimit të legjislacionit tatimor, e cila kërkon shumë kohë për të ndërtuar besimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël për të zbatuar ligjin e TVSH – së.

Bizneset, veçanërisht ato me një qarkullim vjetor dy million lekë/vit, do të përballein me kosto më të mëdha në proçesin e përgatitjes, dokumentimit dhe pagimit të TVSH – së, përveç barrës së pagimit të tatimeve të tjera.

Kostot për të zbatuar legjislacionin tatimor duhet të maten si në terma financiare (për shembull, kosto për të punësuar një ekonomist profesionist për të përgatitur deklaratat e TVSH – së, si dhe kosto e blerjes së kompjuterave për të mbajtur të dhënat, etj).

Këto kosto, plus gjobat, ndëshkimet, riskun e rritur të kontrolleve të panumërta tatimore për TVSH – në (veçanërisht, për faturat e blerjes dhe shitjes me TVSH):

do të rrisin çmimin e mallrave dhe shërbimeve, do të kufizonjnë fuqinë blerëse dhe qarkullimin e bizneseve importuese dhe prodhuese të dorës së parë (do të ulej kërkesa e brendshme), do të rrisë kërkesat për rryshfet dhe, për pasojë, do të pengojë krijimin e bizneseve të reja dhe vetë rritjen ekonomike të vendit.

Në një prezantim të bërë nga një ekip i FMN – së në lidhje me shpërndarjen tipike të tatimpaguesve dhe të ardhurave, rezulton se më shumë se 1 për qind e numrit të tatimpaguesve të mëdhenj paguajnë më shumë se 70 për qind totalit të të ardhurave tatimore të mbledhura; 5 – 25 për qind e numrit të bizneseve të mesme paguajnë 10 – 25 për qind të totalit të të ardhurave të mbledhura dhe 70 – 95 për qind e numrit të tatimpaguesve të vegjël paguajnë 0 – 10 për qind të të ardhurave tatimore të mbledhura.

Nga këndvështrimi i ndryshimit të pragut të regjistrimit të tatimpaguesit për qëllime e TVSH – së nga 8 në 2 milion lekë/vit, në kushtet kur numri i tatimpaguesve është shtuar, duhet të shihen sa janë të ardhurat e mbledhura nga kjo kategori tatimpaguesish të TVSH – së kundrejt totalit të TVSH – së dhe sa janë kostot administrative për mbledhjen e TVSH – së.

Në vitin 2000, kohë kur pragu i regjistrimit të tatimpaguesit për qëllime të TVSH – së nga 5 milionë lekë/vit u bë 8 milion lekë/vit, nga llogaritjet e ekipit të FMN – së rezultoi se kostot administrative të mbledhjes së TVSH – së nga kjo kategori tatimpaguesish ishte më e madhe se sa vetë shuma e TVSH – së mbledhur; për administratën tatimore, aftësia për të mbajtur librat e duhur kontabël dhe të dhënat duhet të jetë masa më e rëndësishme, e detyrueshme për zbatimin e sistemit të vetë – vlerësimit të TVSH – së.

Niveli i pragut të regjistrimit të tatimpaguesit për qëllime të TVSH – së, në të cilin regjistrimi bëhet i detyrueshëm është një zgjidhje kritike që kërkon analiza të thella të kapacitetit administrativ të administratës tatimore para hartimit dhe vënies në jetë të TVSH – së, pasi përvoja e shumë vende që kanë tentuar të vendosin një prag shumë të ulët, tregon se e vunë veten në vështirësi të konsiderueshme, në një kohë që administrata tatimore nuk ishte zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme për të administruar një numër shumë të madh tatimpaguesish të TVSH – së.

Ka një variacion të konsiderueshëm në shumë vende për nivelin e pragut të regjistrimit të tatimpaguesit për qëllime të TVSH – së, madje në vendet anëtare të BE – së, sipas kuadrit ligjor të përbashkët, nivelet e pragut të TVSH – së variojnë deri në 100 000 US$.

Ndërkohë, ka një apel për një prag të lartë të TVSH – së, i cili sikundër u tregua më lart me anë të prezantimit të ekipit të FMN – së, rrjedh nga rregullsia empirike se një pjesë relativisht e vogël e numrit të bizneseve llogaritet për një pjesë shumë të madhe të të ardhurave potenciale të TVSH – së (e bazuar mbi ligjin e Vilfredo Parettos me qëllim që 20 për qind e tatimpaguesve të paguajnë 80 për qind të tatimeve), me arsyetimin që, një prag regjistrimi i lartë, ekonomizon burimet e pamjaftueshme të administratës tatimore dhe siguron një kosto të vogël në mbledhjen e të ardhurave.

Pra, politikat e qeverisë në vitet 2005 – 2009 bënin të mundur përjashtimin e bizneseve të vogla nga trajtimi me TVSH pa pasoja të kundërta në të ardhurat sepse që nga ajo kohë u gjykua se të ardhurat nga ky grup ose kategori tatimpaguesish të TVSH – së (me një qarkullim vjetor deri në 8 milion lekë/vit) kontribuonte në mënyrë modeste në totalin e të ardhurave të mbledhura.

Një studim i OECD – së, vëren se shumë vende, ku për ironi përfshihen vende me kapacitete relativisht të dobëta administrative, nuk janë bindur nga dëshmitë dhe argumentat për një prag regjistrimi të lartë të TVSH – së, duke mos marrë parasysh se balanca e pranueshme ndërmjet të ardhurave dhe kostove të mbledhjes së tatimit është kyçi i problemit.

Ky është edhe rasti i Qeverisë Rama 2.

Kostot fikse të mbledhjes, që shoqërojnë administrimin e TVSH – së, relativisht, janë të mëdha me qëllim që t’i familiarizosh, në mënyrë të suksesshme, pronarët e biznesit të vogël me mbajtjen e librave dhe rregullat tatimore, sepse është e madhe mundësia që derisa një pronar biznesi të ketë fituar përvojën e duhur me mbajtjen e librave dhe plotësimin e deklaratave tatimore, biznesi i tij nuk do të jetë më aktiv, gjë që vërteton se thjeshtësimi i rregullave të të tatuarit përfaqëson një prej mundësive për t’u marrë me këtë problem.

Në pjesën më të madhe të vendeve në tranzicion sistemet e thjeshtuara tatimore për bizneset e vështira për t’u tatuar janë bërë një komponent i një sistemi tatimor të ri të një ekonomie të orientuar te tregu.

Marrja në konsideratë e rritjes shumë të madhe të sektorit të biznesit të vogël, mungesa e një kulture të vërtetë të zbatimit vullnetar të legjislacionit tatimor, kapaciteti i pamjaftueshëm administrativ tatimor, tregon se të tatuarit e thjeshtuar mund dhe duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e strategjisë për të adresuar sfidën e zbatimit të legjislacionit tatimor nga biznesi i vogël.

Në të kundërt, pasojat do të ishin afatgjata në drejtim të konkurrencës së drejtë në tregje, përcaktimit të çmimit të mallrave dhe shërbimeve, kostove administrative, etj që kushtëzohen nga neutraliteti që duhet të karakterizojë sistemin tatimor.

Kështu, për shkak vështirësisë për t’i mbajtur tatimpaguesit e biznesit të vogël në rrjetin e administrimit tatimor, mungesës së kulturës së mbajtjes të librave kontabël dhe të dhënave (shitje – blerjeve pa faturë dhe me para në dorë), domosdoshmërisë për të minimizuar koston e zbatimit të legjislacionit tatimor, të ardhurave të pakta që mblidhen nga kategoria e tatimpaguesve të biznesit të vogël, administrate tatimore nuk mund të pretendojë se të gjithë tatimpaguesit e biznesit të vogël mund të trajtohen, ashtu si bizneset e mesme dhe të mëdha, me TVSH.

Është kjo arsyeja kryesore përse një ekspert i njohur në politikat dhe administrimin e tatimeve ve në dukje se: “Të tatuarit me hamendje përfshin përdorimin e mjeteve indirekte për të caktuar detyrimet tatimore, të cilat ndryshojnë nga rregullat e zakonshme të bazuara mbi llogaritë e tatimpaguesve.”.

Prandaj, edhe pse një rrugëzgjidhje e papërkryer për sfidat e të tatuarit të tatimpaguesve të biznesit të vogël, në rrethana e tanishme kur variabla të tillë si qarkullimi i përgjithshëm janë të vëzhgueshëm, të tatuarit mbi bazën e këtyre treguesve me hamendje, sikundër është ligji për biznesin e vogël është një metodë pragmatike dhe e domosdoshme; regjimet e të tatuarit me hamendje nuk janë një bar çudibërës, por në qoftë se ato bëhen të thjeshtë dhe administrohen mirë mbeten opsionet më të mirë në dispozicion në kushtet e krijuara nga ndikimet e krizës financiare dhe ekonomike botërore.

Në vitin 2000, nga tatimi fiks për bizneset e vegjël (mikrobizneset) me një qarkullim prej 2 milion lekë/vit (ose 14 000 US$) dhe plus 4 për qind mbi diferencën e qarkullimit nga 2 – 8 milion lekë/vit (ose 57 000 US$), u mblodhën rreth 2 për qind të totalit të tatimeve të mbledhura, ndërsa që nga viti 2005 deri në vitin 2008 nuk janë mbledhur më shumë se sa 3 për qind e totalit të të ardhurave tatimore të mbledhura.

Fakti që tatimpaguesit e biznesit të vogël vazhdojnë të merren me disa tatime dhe taksa dhe jo me një tatim të vetëm të thjeshtuar bën që ata ta shohin sistemin tatimor të komplikuar dhe të pavolitshëm.

Faktor tjetër që ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për këtë perceptim është paqëndrueshmëria e sistemeve tatimore të biznesit të vogël në më shumë se pesëmbëdhjetë vitet e fundit që nga viti 1998, kohë kur u miratua ligji i ri i tatimit mbi biznesin e vogël, gjë që dëshmon se ende nuk është adresuar dëshira e bizneseve të vegjël për qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e sistemit tatimor.

Në vendet në tranzicion ku kanë operuar sistemet e thjeshtuara të të tatuarit jo vetëm janë ulur kostot e zbatimit të kontabilitetit dhe standartet raportuese, por gjithashtu është ulur në mënyrë të konsiderueshme barra tatimore e tatimpaguesve të biznesit të vogël.

Të ardhurat e pakta tatimore të mbledhura nga biznesi i vogël, risku i dukshëm që të ardhurat e mbledhura të jenë më të vogla se kostot e zbatimit dhe të mbledhjes së tatimit, mungesa e koordinimit ndërmjet barrës tatimore të sistemit të marrë me mend me sistemin standart do të ishte një antinxitës për të deklaruar rritjen e biznesit dhe migrimin e tij nga sistemi i marrë mend te sistemi standart i TVSH – së.

Po i kujtoj, përsëri me dashamirësi, Kryeministrit Rama 2 t’u kërkojë ”specialistëve” të bëjnë një llogaritje të thjeshtë për fondin e kohës që ka në dispozicion Administrata Tatimore, sa kohë duhet për kontrollin e një fature tatimore me TVSH, sa është kapaciteti logjistik e kështu me radhë.

Ta bëjë provë të dëgjojë njëherë të tjerët dhe jo vetëm veten.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: