Megjithëse duket sikur zgjedhjet lokale të pranverës së vitit të ardhshëm janë larg në të dy kampet ka nisur të mendohet seriozisht për to. Madje përfliten edhe kandidatët e parë në bashki të ndryshme. LSI ka hedhur sinjale të paqarta kohët e fundit. Publikisht është mohuar çdo lloj bashkëpunimi me PS-në, por nuk kanë qenë të paktë zërat që e kanë konsideruar “të mundshëm” një bashkëpunim të tillë.
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu tha në një intervistë për Ora News se tani është momenti i rëndësishëm që LSI dhe PD të shkojnë në një marrëveshje të përbashkët opozitare, por theksoi që ajo të jetë transparente dhe afatgjatë.
“LSI është parti opozitare. Ka pasur mjaft zhvillime të përbashkëta me PD-në që kulmoi me protestën e 27 janarit. Një bashkëpunim politik mes PD dhe LSI kërkon që të ketë atë alkiminë e vet, sidomos sa u takon programeve. Besoj fort që fronti opozitar do kalojë në një marrëdhënie politike mes palësh.
Jam për një marrëveshje transparente, të thënë dhe afat gjate dhe që shqiptarët ta kuptojnë kush është opozita dhe kush është pozita dhe ku do shkojmë në afat mesëm dhe afatgjatë.
Koalicion me PS në zgjedhjet lokale?
“Janë skema që socialistët i bëjnë mirë dhe nuk e di kush mund të jetë flirti i LSI me PS. Deklarimet kanë qenë të hapur, deputetet e LSI, kryetarja janë qartësuar në mendimet e tyre, pastaj seç diskutohet në kafenera nuk e di.
Besoj se është moment mjaft i rëndësishëm që të shkohet në këtë marrëveshje, ose nëse s’ka marrëveshje ne të fokusohemi që LSI do kandidojë e vetme përsëri pasi besoj se jemi pak vonë për organizimin e zgjedhjeve të 2019” – e mbyll Spahiu. /LAPSI.al