Home KRYESORE Nano: Gruaja që më bën për vete është ajo iraniania që hoqi...

Nano: Gruaja që më bën për vete është ajo iraniania që hoqi ferexhenë, madje do doja të flija me të

Monologu i fundit i Mustafa Nanos në emisionin e tij “Provokacija” në “ABC News”, të kujtonte monologun shekspirian të Hamletit, që e shtyn femrën të thellohet për të parë veten brenda apo jashtë botës sot, ku seksualiteti ka kaluar në plan të parë.

Kohët kanë ndryshuar dhe dilemës “Të rrosh, a të mos rrosh, kjo është çështja” ia zë vendin “Të zhvishesh, apo të mos zhvishesh”, një çështje kjo që provokoi jo pak opinionin publik, ku për të shigjetuar fenomenin, Nano mori si modele dy vajza të ekranit, moderatoret e “Supersport”, Bora Zemanin dhe Ilda Bejlerin.

“Mendoj që është diçka personale, që një njeri e ka të qëllimshme”, ishte reagimi pas kësaj i Ildës për Nanon, ndërsa Bora preferoi t’i përgjigjej me një foto ku u shfaq me veshje serioze.

Duke qenë se monologu hapi debat të nxehtë, në këtë intervistë për “Panorama Plus”, gazetari, analisti dhe publicisti shtjellon si në një epilog gjithçka që e ngacmoi të bënte atë analizë në ekran, ndërsa parashikon fatin e mëtejshëm të personazheve të njohura, që janë pjesë e gjithë këtij revolucioni seksual të kohëve moderne.

Monologu yt i fundit në “Provokacija” ishte ai për zhveshjen e ekzagjeruar në ekran, duke marrë si shembuj dy gazetare të sportit, Bora Zemanin dhe Ilda Bejlerin. Në një barazpeshim, mendon se është më i fortë provokimi që të bënë ato aty, ndërsa po i shihje në dhomën e ndenjes, apo provokimi që u bëre ti atyre, nëse dhe ato të kanë ndjekur nga dhomat e tyre të ndenjes?

Shikoni, doni ta dini si e shoh unë këtë punë? Ky nuk është një problem i imi. As edhe një problem me dy vajza. As edhe një problem shqiptar. Është një problem i botës së sotme të hiper-seksualizuar, në të cilën vajzat e zhveshura po na faniten kudo, edhe aty ku nuk ta pret mendja, e ku lakuriqësia po shihet si një shenjë force, afirmimi e pushteti në përpjekjet për barazi gjinore.

Kjo e fundit është një mufkë kolosale. Lakuriqësia nuk është shenjë afirmimi, nuk ka të bëjë me betejën e grave për barazi, të drejta e oportunitete. Sikur feministet e famshme të historisë së botës, prej atje ku janë, të shihnin në skena të mëdha koncertesh këngëtaret; Miley Cyrus, Lady Gaga, Madonna, apo edhe vajzat “tona”; Rita Ora, Bebe Rexha e Dua Lipa, që këndojnë pothuaj të zhveshura me synimin për të afirmuar kauzën e grave në botë ato do të ktheheshin përmbys në varret e tyre. Lëre pastaj të shihnin sojin e Kardashianëve.

Dhe nuk kuptohet një gjë në këtë mes: Kur lakuriqësia femërore pushton rrugët, hapësirën publike, televizionet e në përgjithësi jetët tona, me këtë nuk bëhet gjë tjetër, veçse ushqehet maskilizmi, seksizmi, etj., e në përgjithësi u shkohet pas midesë, rregullave të një bote burrash. Frika ime është që kjo lakuriqë- si, nëse thellohet (deri ku mund të shkohet?), mund të shkaktojë një çmagjepsje të burrave prej grave dhe kjo do të ishte, për mua, një nga ngjarjet më të rëndësishme, domethënë dramatike, në historinë e botës.

Nuk arrij dot ta përfytyroj një ditë, në të cilën një vajzë e zhveshur t’u shndërrohet djemve në një gjë të zakonshme, në një pamje rutinore. Kjo është një betejë e imja, pra, për të mbrojtur magjinë e nuditetit femëror, e cila për shumë burra, përfshirë mua, mund të shihet si një nga arsyet që ia vlen të jesh në këtë botë.

Dikush mund të të pyesë: Po ç’të keqe ka, të zhvishen kur jetojmë në epokën e seksizmit që folët më sipër, pra, kur ekspozimi i formave në ekran ka targetin e vet?

Unë e di që ka targetin e vet. Por nuk është ky metri. Nuk duhet. Sikur të ishte ky metri, ne do ta kishim seksualizuar jetën publike me kohë. Do kishim zhveshur edhe mësueset e gjimnazit, teksa japin mësim. Dhe gjimnazistët nuk do ishin kundër, apo jo? Do ishte edhe gallatë, përveç të tjerash. Madje, për ta mbyllur, fakti që ky hiper-seksualizim i jetës pëlqehet, më bën mua ta ngre zërin edhe më shumë.

Monologu yt, edhe pse fliste për vulgaren, përsëri kishte një patos mashkullor, ku dukej sikur po i nxirrje lakuriq fare në sytë e botës, edhe më shumë me sy e fjalë. Si do të dëshiroje t’i shihje të veshura ato, miket apo koleget e tyre?

Do të doja t’i shija të veshura në mënyrë të hijshme, gjë që nuk e përjashton sensualitetin, përkundrazi, e nënkupton. Fjala vjen, pashë dje në “Panorama online” një lajm që bënte fjalë për Bora Zemanin që, “pas kritikës sime”, ishte veshur me një fustan të zi, me një prerje që fillonte te gjuri e ngjitej deri në mes të kofshës. E kishte nxjerrë foton në “Facebook” apo “Instagram”. Ajo ishte një veshje elegante në kuptimin më të plotë të fjalës. Ishte bukur ta shihje.

Në debat hyri dhe Rudina Xhunga, e cila i kishte dhënë nota feminizmi çështjes duke mbajtur anën e vajzave. A ke një qëndrim plus për të gjithë ato/ata që menduan se kishe shigjetuar qenien femërore me këtë monolog?

Më ngacmoi shkrimi i Rudina Xhungës. Nuk jam dakord me idetë e saj, por shkrimi nuk më la indiferent. Dhe prandaj e kam ftuar të martën në “Provokacija”, ku do të flasim mbi këtë argument. Mund të na ndiqni atje. Por po ju them qysh tani se mua më duket vetja më feminist se shumë feministe.

Emisioni yt i ri ka tërhequr vëmendjen, pasi ti bën monologun që shumë persona guxojnë ta bëjnë vetëm me veten. Është ky një katharsis i yti?

Katharsis? Hëmmm. Nuk e kisha parë kështu. Edhe mundet. Por në çdo rast, nuk është vetëm kaq.

Duke qenë se në këtë rubrikë të emisionit nuhasim dhe stilin prej shkrimtari, i shkruan me frymëzimin e natës apo dritën e ditës këto pjesë të programit?

Të mos e teprojmë. Janë monologje të thjeshta. Nuk është se më marrin kohë. Nuk duan as shumë frymëzim. Ja, kjo intervistë me ju për shembull është më impenjative.

Nga pozitat e burrit, çfarë është gruaja për ty dhe cila është ajo grua në histori që mendon se e ka trurin uniseks, pra, të pushton me forcën e mendimit?

Gruaja është një nga dy gjërat që unë kam dashur marrëzisht në këtë botë. Dhe është e para. E dyta, janë librat. Madje, kam përshtypjen se edhe librat i kam dashur në mënyrë që të mësoj të dua gratë më shumë. Dhe të më duan më shumë. Sa për gra që më kanë pushtuar me forcën e mendimit, këto janë të shumta. Sapo kam lexuar një libër, meqë ra fjala, të feministes Kate Millet. Është libri me titullin “Sexual Politics”. Libri është publikuar në fund të viteve 1960 dhe prandaj është tek-tuk out-dated, por më ka goditur fuqia e mendimit të kësaj gruaje. Dhe stili i të shkruarit. Një stil i thellë, që rrallë e gjen edhe te burrat. Doni një ilustrim tjetër? Një grua që më ka bërë për vete, që më ka fituar zemrën, që unë e adhuroj, është ajo vajza iraniane, që, nja dy muaj më parë, gjatë protestave kundër regjimit të atjeshëm, hipi mbi një bazament betoni që ta shihnin të gjithë, hoqi ferexhenë dhe e vari mbi një shkop në shenjë refuzimi. Ishte një moment çlirimi për të. Ne nuk e dimë se si quhet ajo. Nuk e dimë as se ku është sot. Por ajo është një heroinë. Do kisha qejf ta njihja. Madje, nuk di pse jam i sigurt se do kisha dëshirë edhe të flija me të. Pa e njohur. Apriori. Por përtej kësaj “provokacija”-je, gjëja më e rëndësishme është që ajo të jetë gjallë, e pa lënduar, dhe shëndetmirë.

Në realitetin tonë shqiptar, çfarë mendon se është më vulgare apo më e trishtueshme se zhveshjet e vajzave të ekranit?

Kjo pyetje më çon menjëherë te heroina e mësipërme. Dhe po them, se më e trishtueshme se zhveshja e grave është veshja e tyre. Dua të them mbulimi i grave. Kjo është më e trishtueshme për një arsye të thjeshtë. Një grua mund të zhvishet ca si shumë, deri edhe në nivele banale, por në fund të fundit është një vendim që ajo e merr vetë. Vishet ashtu, sepse kështu e urdhëron rradakja e vet. Ndërsa gratë e mbuluara, me shumë pak përjashtime (që unë nuk i kuptoj), janë një histori më vete. Ato rëndom mbulohen, sepse kështu duan baballarët e burrat e tyre. Kjo gjë duhet të na shqetësojë më shumë. Dhe unë kam kohë që e ngre zërin për këtë gjë, ndonëse e di që është një fushë “e minuar”. Do doja që të flitej më shumë për këtë gjë. Do doja që të flisja edhe me myslimanët vetë. Dhe do t’i ftoj herë pas here në “Provokacija” për çështje të tilla.

Po për veshjet e vajzave dhe zonjave në Kuvend, çfarë ke për të thënë?

Nuk kam ndonjë ide. Nuk më kanë tërhequr vëmendjen. Dhe kjo është shenjë se nuk ka gjëra që nuk shkojnë.

Share: