Home KRYESORE Nënkryetarja e bashkisë së Lezhës tregon arsyen e arrestimit të beftë të...

Nënkryetarja e bashkisë së Lezhës tregon arsyen e arrestimit të beftë të Frrokajt

Nënkryetarja e bashkisë Lezhë, Alfrida Marku deklaroi se arrestimi i kryebashkiakut Fran Frrokaj dhe e zyrtarëve të tjerë nën akuzën e tjetërsimit të jashtëligjshëm të provave në Shëngjin, është një hakmarrje politike nga ana e kryeministrit Edi Rama.

“Politikisht, kryeministri kriminel, kriminelët e tij në Lezhë dhe kriminelët që e duan Lezhën pa kundërshtar, do ta marrin përgjigjen sa herë të përballen në Lezhë dhe me qytetarët e saj të ndershëm.

Ndryshe nga mandati i parë ku Rama i bënte presion prokurorisë dhe gjykatave duke i marrë dhe personalisht në telefon për të mos hetuar zyrtarët e partisë së tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, duke qenë kështu imunë për paprekshmërinë e tyre, tani me futjen në dorë të organit të akuzës kryeministri i kokainës, jo vetëm ka garantuar paprekshmërinë e të tijëve në pushtet vendor dhe qendror, por ka nisur gjuetinë e shtrigave, presionin, dhunën e hakmarrjen politike ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike”, shprehet Alfrida Marku.

“Dhunimi i lirisë së Kryetarit dhe zëvendës kryetarit të Bashkisë Lezhë, dhe ndaj institucionit, si hakmarrje e presion politik dhe duke instrumentalizuar e dhunuar autoritetin e organeve të drejtësisë është skandaloze dhe e pajustifikueshme. Dëshmon se Shqipëria është në ekstremin e paligjshmërisë, dhunës për arsye politike dhe kriminalitetit të strukturuar, ideuar dhe mbrojtur nga Rama dhe të tijtë.

Asnjë presion qeveritar, asnjë luftë politike nuk zbeh apo deformon autoritetin e asnjërit”, vijon reagimi.

Share: