Home KRYESORE Përse bërtiti kaq shumë Ed Rama?

Përse bërtiti kaq shumë Ed Rama?

Te Studio e Hapur, kryeministri nuk ishte mirë, dukshëm e kishte një hall. Ishte fyes dhe një e dy i bërtiste Enit, e ironizonte dhe e shpërfillte, ndërkohë që gazetarja bënte pyetje shume korrekte dhe në mënyrë të njerëzishme.

Shante Berishën dhe Lul Bashën, por mbi të gjitha turfullonte. Dhe arriti kulmin kur përsëriti si ankesë për “shpifjet” e Berishës ndaj tij dhe vuajtjet e familjarëve të vet, si dhe është rasti i Gregut, njësoj si u ankua dikur për persekutimin e Mero Bazes në vitin tashmë të largët 2005…

Përse kryeministri e ka të nevojshme të viktimizohet përsëri?

Çfarë i mungon atij sot, që ka nevojë për një mbështetje të zgjedhësve të vet, që vendosi ti elektrizojë ata përsëri në mënyrë pasionante?

Ka sigurisht shumë gropa që i hapen gjithkund dhe sidomos në ekonomi, ku investimet e huaja nuk duken askund.

Shqipëria, të cilën ai ka 5 vjet që e qeveris, tani sëfundmi me të gjithë tepsinë për vete, jo vetëm që nuk ka kulme pozitive, por, me të dhëna statistikore në dorë, është bërë Atdheu i njerëzve që e braktisin.

Dhe kryeminsitri ankohej për opozitën, e cila nuk qeveris!

Dhe kryeminsitri kërkon ti mbushë mendjen popullit hallexhi, që të qajë edhe hallin e tij të madh: Opozita po ja plas shpirtin me të sharat e saja!

Apo se ngase po e mërzit opozita, atij ndoshta i priten krahët, e s’punon sa duhet e si duhet, sepse e shan Berisha dhe i shkakton tronditje familjare…

Gjithsesi thotë populli: “Ky stan, këtë bylmet ka!”

Ka harruar se si bëri përpara duke ju turrur Berishës, Nanos, Metës, Mediave dhe çdo gjëje tjetër që nuk e duartroket.

Në atë super energjinë e vet sulmonjëse, sharëse dhe thumbonjëse, ndjehej qartë zbrazëtira e madhe e ideve, e projekteve dhe mbi të gjitha grafiku zymtak i bilanceve të munguara.

Sepse ende nuk po duket një dritë e mirëfilltë në këtë tunelin e prespektivës shqiptare, përveç gëzimit të disave, që mendojnë se përmes kokëprerjeve të rëndësishme, jeta mund të bëhet më interesante për turmat, që kësisoj mund të harrojnë varfërinë e tyre, shpirtërore dhe materiale… /360grade.al/

Share: