Një vendim i vitit 2014 sanksiononte mënyrën sesi do të kthehej tek familjet toka bujqësore e ish-ndërmarrjeve bujqësore. Ky vendim përcaktonte kushtet që duhet të përmbusheshin, kush mund të përfitonte dhe si jepej akti i marrjes së tokës në pronësi. Por katër vjet më pas qeveria duket se ka plane të tjera për këto toka që ende nuk kanë kaluar në pronësi të familjeve. Prioritet do tju jepet investitorëve strategjikë. Një vendim qeverie i miratuar sot pezullon pikërisht procesin e kalimit të tokës bujqësore në pronësi të përfituesve sipas një harte ku janë evidentuar tokat që bëjnë pjesë në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike.
Jo rastësisht harta përfshin kryesisht zonat bregdetare si Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol.
Vendimi i qeverisë
Këshilli i Ministrave vendosi :
- Pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), deri në krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, sipas nenit 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”.
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërrmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe bashkitë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për zbatimin e këtij vendimi.
Paketa e turizmit
Në fund të vitit 2017 qeveria miratoi një paketë që favorizonte investimet në turizëm duke e kthyer Shqipërinë në një parajsë të vërtetë fiskale për ata që do të përfitojnë statusin special të investitorit. Po kështu si pjesë e ligjit për investimet strategjike i vitit 2016 turizimi konsiderohet si një nga sektorët që përfiton favorizime të veçanta.
Bazuar në hartën e miratuar nga qeveria ne vendimin e fundit ku edhe pezullohet kalimi tek familjet i tokës bujqësore, që ndodhet kryesisht në bregdet, duket se nje nga kontigjentet që do të përfitojë sërish nga “zemërgjerësia” e qeverisë është ai i turizmit dhe investitorëve me status special./Monitor.al