Home KRYESORE Sa na kushton Edi Rama?! Nga Desada Metaj

Sa na kushton Edi Rama?! Nga Desada Metaj

Edi Rama edhe njëherë ka mundur t’a ndërrojë fokusin e debatit publik nga taksa super e debatuar e rrugës së kombit në mbledhjen e grupi socialist, ku i “kërkohet llogari” për toka të grabitura një deputeti milioner apo takim me policë që s’kanë bërë asgjë më shumë se detyrën e tyre. Por që në funksion të propagandës përdoren nga ERTV si figurantë të një skenari ku të duket sikur jeton në Skandinavi.

Po t’i shtosh dhe lajmin e ish-kryeprokurorit apo dhe atë të largimit të dy diplomatëve rusë, duket qartë se çështja e 5 eurove që çdokush që kalon në rrugën e Kombit duhet të paguajë, do të pasohet nga heshtja dhe harresa, siç ndodh rëndom në Shqipëri kur bëhet fjalë për të paguar më shumë taksa.

Dhe jo se kjo nuk rëndon në xhepat e shqiptarëve. Përkundrazi, në kohën kur çdo faturë që mbërrin me postë në banesat tona është shumëfishuar që prej ardhjes në pushtet të PS-së, protesta apo qoftë dhe reagimi publik ka qenë më i vogël se kurrë.

Në një realitet të trishtë dhe gati dëshpërues të ekonomisë, duket se shqiptarët janë më të ndjeshëm për përrallat me oligarkë dhe historitë me vetting që do na shpëtojnë nga e keqja.

Kështu ndodhi kur fatura e ujit erdhi e shumëfishuar, kur taksa e pronës na u shtua në faturë. Kështu ndodh sa herë na duhet të paguajmë më tepër për shërbime që s’i marrim kurrë. Dhe kështu po ndodh dhe me taksën e rrugës së kombit.

Përtej ndjeshmërive nacionaliste dhe ndikimit që ka më së shumti tek kosovarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë, taksa e re e rrugës Durrës- Kukës, me gjasë do të prekë edhe banorët e zonave përreth që e përdorin atë si të vetmin aks për të komunikuar me njëri-tjetrin. Në mungesë të rrugëve dytësore, pagesa e re do të jetë një barrë për banorët e zonave përreth. Nga ana tjetër,disa ekspertë kanë nisur të bëjne llogaritë dhe të analizojnë fitimet që do të kenë kompanitë që do të merren me mirëmbajtjen dhe përfundimin e urave apo pjesëve që kanë mbetur të papërfunduara në këtë rrugë.

Të tjerë, kryesisht nga Kosova po gjejnë “tradhtarët” që po minojnë të vetmen urë që na lidhte pa pagesë.

Ndërsa kryetari i qeverisë sot vetëm ka heshtur për këtë çështje. Duke përçuar tek-tuk idenë se pagesa për rrugën është një projekt i nisur nga qeveritë e mëparshme, që ai thjesht po vazhdon idenë e paraardhësve në ministrinë e transporteve.

Pak e shumë të atyre ish ministrave apo drejtorë rrugësh që sot, të denoncuar nga vetë ai ndodhen në qelitë e paraburgimit. Me idenë se për të patur një rrugë cilësore, jo me rëndësi të posaçme strategjike dhe që i kushton shtetit miliona euro mirëmbajtje, Edi Rama vendosi ta ekzekutojë vendimin për të paguar 5 euro taksë ndonëse paraardhësit e tij e kishin mbajtur gjatë në sirtarë të njëjtin vendim.

Edhe një militant socialist nga ata që mezi presin statusin e mëngjesit të Edi Ramës nuk e beson se ky vendim është marrë për të përmirësuar buxhetin e shtetit apo për të përfunduar rrugën. Me gjasë edhe çmimi prej 5 eurosh është vendosur diku në ndonjë tavolinë restoranti dhe jo në mbledhje qeverie apo tryezë teknike, përndryshe ERTV do nxitonte të na i transmetonte live.

Një rrugë e përmasave të tilla dhe e re për standardet e Shqipërisë ndoshta vërtet ka nevojë për kujdesin konçensionar të mirëmbajtjes. Ndoshta pa hyrë në llogaritje të detajuara financiare duhet të paguajmë për ta mbajtur dhe të paktën për ta përfunduar siç e ka bërë Kosova.

Por, ky proces, veç transparencës së munguar ngre disa pikëpyetje për të cilat nuk duhet të jesh ekonomist që t’i kuptosh.

Çdo shqiptar që ka makinë paguan si taksë qarkullimi 334 lek te vjetra për çdo litër karburant që blen. Thënë ndryshe gati 150 mil euro në vit që i shkonë buxhetit për mirëmbajtjen e rrugëve. Nëse Edi Rama di t’u tregojë shqiptarëve se ç’rrugë ka bërë apo mirëmbajtur në këto 6 vjet me këto para atëherë me ankesat tona i kemi rënë në qafë më kot kësaj qeverie.

Nëse, Edi Rama di të shpjegojë pse këto 6 vjet nuk është ndërtuar asnjë rrugë, pse nuk ka përfunduar by pass-in e Fierit apo Tiranë-Elbasan, pse e ka lënë të shkatërruar plotësisht rrugën Durrës- Tiranë atëherë ne meritojmë të ndëshkohemi si popull që nuk e meritojmë një lider vizionar.

Dhe në rast të kundërt, nëse arrin të na bindë se ky nuk është faji i tij, por i atyre që ja lanë qeverinë me borxhe, duhet ta mendojmë seriozisht se ndoshta ky është kryeministri që meritojmë. I aftë të na zhvasë xhepat, të na gënjejë dhe mashtrojë e në fund të na qerasë të gjithëve me histori spiunazhi rus./Opinion.al

Share: