Home KRYESORE A po i shkatërrojnë mediat sociale fëmijët tanë? Nga Endrit Hoxhaj

A po i shkatërrojnë mediat sociale fëmijët tanë? Nga Endrit Hoxhaj

Studimet tregojnë se adoleshentët harxhojnë shumë kohë në mediat sociale. Disa janë vazhdimisht në to online. Sa më shumë që ne promovojmë teknologjinë sociale si karshillëk për të qenë më të mirët, aq më shumë po e nxisim fatkeqësinë tonë. Në këtë moment që lexoni këtë shkrim, a e dini se ku janë fëmijët tuaj?

Një dekadë më parë, nëse përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte: -po, në shtëpi, ju ndiheshit rehat që fëmijët i kishit në një vend të sigurtë. Kjo nuk është më e vërtetë. Tani që fëmijët kanë telefona dhe tableta, ata mund të rrijnë në çdo vend të mundshëm duke humbur kohën e çmuar, ndoshta shpesh dhe duke humbur rrugën për në shtëpi.

Sipas disa studimeve, zbulojmë se 92% e adoleshentëve janë online çdo ditë dhe se 24% thonë se janë online non stop. Një sondazh i bërë me adoleshentë amerikanë, tregoi se vetëm 15% e fëmijëve thonë se Facebook është rrjeti i tyre i preferuar social. 33% për qind zgjedhin Instagram, 20% shkojnë në Twitter dhe 19% zgjedhin Snapchat, një aplikacion që u lejon atyre të postojnë foto, (ato zhduken pasi i shikon).

Risia e teknologjisë sociale mund të ketë disa përgjegjësi për ankthin dhe depresionin te adoleshentët dhe të rinjtë. Facebook-u, Twitter-i, Snapchat-i dhe Instagram-i janë të gjitha kënaqësi, përderisa gjërat dalin nga dora e njeriut. Faktet janë po aq depresive sa vetë kushtet. Vlerësimi Shëndetësor i Kolegjit Kombëtar Amerikan i vitit 2017, përmes një studimi të rreth 80,000 studentëve të kolegjeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara, zbuloi se 54% e nxënësve pohuan se kishin përjetuar ankth të madh gjatë 12 muajve të fundit dhe 32,6% ndiheshin po aq në depresion, sa që ishte e vështirë ta kuptonin pse…!

Studimi gjithashtu zbuloi se 6.4% ishin qëllimisht të vetdjegur ose të vetplagosur në mënyra të ndryshme, 8.1% e kishin konsideruar seriozisht vetëvrasjen dhe 1.3% kishin tentuar të bënin vetëvrasje. Këto statistika janë të tmerrshme, dhe ne nuk kemi askënd për të fajësuar përveç vetes sonë. Edhe CNN, studioi prezencën e rrjeteve sociale te më shumë se 200 nxënës të klasave të teta në partneritet me ekspertët e zhvillimit të fëmijëve. Brenda botës sekrete të tyre, 13% kontrollonin adresat personale 100 herë në ditë.

Kjo nuk të habit kur 90% e adoleshentëve përdorin çdo ditë rrjetet sociale dhe 75% e tyre kanë profile personale… Fëmijët rriten tani në një botë ku presin përgjigje të menjëhershme, kënaqësi dhe lajme të pafundme. Truri i tyre nuk ka më kohë për të evoluar, pasi gjërat i marrin të gatshme. Ndryshimi për ta vjen në çast dhe për këtë rezultatet janë shqetësuese. Vështirësitë e rritjes kurrë nuk kanë qenë kaq delikate sa sot.

Teknologjia sociale ofron një platformë ku gjërat vetëm egzistojnë dhe të ofrojnë joshje. Imagjinoni stresin e nxënësve gjimnazistë, konkurrencën, popullaritetin e tyre, presionin për t’u përshtatur, natyrën gjykuese të aktiviteteve sociale me një ritëm të përshpejtuar… Aktualisht, ne përpiqemi t’i mbrojmë fëmijët tanë që të mos enden në errësirë dhe ndërkohë i hedhim pa kontroll në lundrimin e internetit. Një ditë kur rriten dhe i dërgojmë në kolegje a gjimnaze, ata përballen me shumë presione në jetë. Pyetja që shtrohet është, çfarë duhet të bëjmë?

Sa më shumë që ne të promovojmë teknologjinë sociale për fëmijët tanë si shenjë konkurrimi, për të qenë më të mirët, aq më shumë po nxisim fatkeqësinë tonë. Momentalisht duhen përdorur mjete juridike. Të krijojmë forma më të strukturuara të rrjeteve sociale që t’i kontrollojmë fëmijët tanë. Si është e mundur që një fëmijë të hyjë në rrjetet sociale nga telefonin e tij, pa autorizimin prindëror? Një mekanizëm në rrjetet sociale, mund t’i ndihmojë ata në parandalimin e abuzimeve, që çojnë në ankth dhe depresion.

Të sigurojmë një mënyrë që prindërit dhe administratorët të marrin informacione kthyese për përdorimin e internetit nga fëmijët. Pa ndërhyrë në intimitetin personal, të njoftohen prindërit për rreziqet e afërta. Një mekanizëm i tillë tashmë ekziston. Për këtë të realizohen kurse mbi teknologjinë sociale dhe përgjegjësitë në kurrikulat tona shkollore. Shumë adoleshentë nuk e kuptojnë se atë që realizojnë online, pikërisht ajo i bën ata kryelajm në të gjithë botën.

Kjo më pas ndikon në aplikimet e tyre për një vend pune, në zgjedhjen e bashkëshortes/tit dhe vetë karrierën e mëvonshme. Nëse mund t’u mësojmë fëmijëve seksin e sigurtë dhe abuzimin vrasës me drogën dhe alkoolin, gjithashtu ne mund t’u mësojmë atyre që të ushtrojnë kujdes edhe në komunikimet e tyre në internet. Ka ardhur momenti, që te fëmijët tanë të frenojmë dëshirën të bëhen më të mirë se shokët e tyre, duke lundruar pa kriter në rrjetet sociale çdo minutë të ditë-natës sonë.

Share: