Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka komentuar panairin e fundit, në të cilin u promovuan mallrat e shteteve të rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë.
Në një komunikatë për media, ajo ka thënë se hiperbolizimet përmes simboleve shtetërore nuk i shërbejnë bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Hiperbolizimet e natyrës politike përmes simboleve shtetërore apo nacionale nuk i shërbejnë bashkëpunimit rajonal, për më tepër, janë tentime për të treguar supremacinë inekzistente apo protagonizmin tipik të pabazë edhe në lëmin e ekonomisë, të lëvizjes së kapitalit dhe mallrave, etj.”
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i rikujtoi Serbisë se Kosova është e njohur nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, si edhe nga disa organizata ndërkombëtare.
“MPJ, rikujton fqinjin tonë verior se, shteti i ri i Republikës së Kosovës, i cili tashmë është njohur pothuajse nga dy të tretat e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe është anëtar i plotë dhe me të drejta të barabarta në më shumë se 60 Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare, lindi si rezultat i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe themeli i ndërtimit të tij është parimi qytetar dhe karakteri shumë-etnik, që tashmë pranohet edhe nga vet komuniteti serb në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatën e MPJ-së.
s.a/dita