Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Nga Kryeministria, Rama e cilësoi diten e sotme, një ditë të madhe për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij ai ftoi kreun e opozitës Lulzim Basha për bashkëpunim, në mënyrë që të dy t’i dalin për zot të ardhmes.
“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga BE që mund të ulet në tryezën e negociatave. Jam i emocionaur dhe shumë krenar sepse ia dolëm këtij provimi mjaft të vështirë. U dhamë Shqipërisë një staturë të re. Tanimë është e qartë se rruga përtej udhëkryqit, sado e vështirë është e gjitha e hapur përpara nesh. Stacioni i radhës është anëtarësimi në BE dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion varet nga të gjithë ne. Jam i emocionuar sepse sot Shqipëria ma marrë vlerësimin më të lartë 30 vjeçar”, deklaroi Rama.
Ai shprehu mirënjohje edhe për qeveritë paraardhëse, ndërsa shtoi se qeveria e tij ia doli t’i japë vendit statusin në vitin e parë qeverisës dhe hapjen e negociatave në mandatin e dytë qeverisës.
“Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata përpara nesh për të ndërtuar një pjesë të të vetmes rrugë; rrugës së anëtarësimit në BE. Ia kemi dalë që në 4 vjet të kthejmë besimin e popullit tek ne për dy arritje të mëdha. Në vitin e parë të mandatit të parë i dhamë Shqipërisë statusin. Në vitin e parë të mandatit të dytë, i dhamë çeljen e negociatave. Këto nuk janë dhurata. Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat.
Gjykatësit dhe prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë vettingut, politikanët që i kanë ikur drejtësisë për kaq vite me radhë nga një drejtësi e kapur, kriminel që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë apo të fortësh qytetesh dhe lagjesh që kanë hyrë nga dyert e komisariatit dhe kanë dalë nga penxheret e gjykatave, duhet të japin llogari”, u shpreh ai.
Rama i bëri ftesë opozitës për të mos ngatërruar integrimin me ndasitë politike të brendshme, por kryeministri Edi e “thumboi” atë, duke deklaruar se bëri çmos për ta shtyrë datën e negociatave siç tha ai, në pafundësi.
“Dora jonë është përsëri e shtrirë ndaj opozitës dhe e ftoj sot përpara të gjithë shqiptarëve, në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, opozitën dhe kryetarin e saj që mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi. Kur të flasim në gjuhë të huaj, mos të tregojmë me gisht njëri-tjetrin, por t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj. Si kryeministër dhe kryetar i PS ndihem i privilegjuar me rekomandimin, por unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur për çeljen e negociatave si fitoren e një pale politike ndaj palëve të tjera politike, sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, dhe partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është fitorja e qeverisë që luftoi me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë në përpjekjen për objektivin strategjik për Shqipërinë dhe opozita që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv”, tha Rama./Lapsi.al