“Tashmë është e qartë se çdo ditë që ai qendron në pushtet është një hap më pranë katastrofës së pakthyeshme”, kështu shkruan ish-drejtuesi i Departamentit të të Përndjekurve Politikë në PD, Tomor Alizoti.
Postimi i Tomor Alizotit:
Pamje të trishta na vijnë nga Kukësi, ku policë të armatosur me armë automatike, po patrullojnë në rrugët e qytetit për të terrorizuar qytetarët.
Pasi ua ka shkurtuar jetët njerëzve me varfëri të skajshme, skamje e mjerim, i terrorizuar nga shpërthimi i indinjatës së të dëshpëruarve që nuk kanë çfarë të humbin, Rama ka vendosur të kërcënojë qytetarët e thjeshtë e të ndershëm me përdhunën e policisë.
Kjo është e turpshme! Një qeveri që pretendon se po pret të hapë negociatat, kërkon të shtypë revoltën e të varfërve me kallashnikovë! Ky nuk mund të jetë një vend europian.
Edi Rama po dëshmon çdo ditë e më shumë se po ecën në rrugën e baballarëve të tij që e dhunuan dhe terrorizuan këtë popull për 50 vjet. Tashmë është e qartë se çdo ditë që ai qendron në pushtet është një hap më pranë katastrofës së pakthyeshme. Ky pushtet po bëhet i rrezikshëm ndaj duhet ndalur.