Home KRYESORE Negociatat, Brukseli i kërkon Ramës ‘peshq të mëdhenj’

Negociatat, Brukseli i kërkon Ramës ‘peshq të mëdhenj’

Rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kushtëzohet e ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, me theks të veçantë procesin e vettingut, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sa i përket korrupsionit, Komisioni Europian vlerëson se është bërë pak përparim, duke thënë se numri i të dënuarve në radhët e zyrtarëve është i ulët.

“Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, thuhet në raport.

Mes këtyre rreshtave arrin të lexohet qartë se njësoj si ambasadori amerikan, Donald Lu, edhe Brukseli kërkon zyrtarisht arrestimin dhe ndëshkimin e ‘peshqve të mëdhenj’. Deri më tani në fillimet e zbatimit të reformës në drejtësi janë goditur disa zyrtarë të nivelit të mesëm. Kujtojmë Dashamir Xhikën dhe Andi Tomën, ish-drejtorët e ARRSH-së. Por mungojnë ministra e ish-ministra, për të cilët ka pasur akuza nga opozita dhe në media.

“Rezultatet e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.

Mes 37 faqeve të raportit vlerësohet si zhvillim pozitiv dorëheqja e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve, në radhët e të cilëve edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, si dhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Përsa i përket luftës kundër kanabisit, vlerësohet se gjatë vitit 2017 ka patur progres, por duhen ende përpjekje për të çmontuar grupet kriminale, ndëshkimin krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave. Ndonëse rekomandimi është pozitiv për hapjen e negociatave, ka shumë pikëpyetje nëse ky raport është portretë i vërtetë për Shqipërinë, apo thjesht burokratët e BE-së kanë mbyllur një sy e një vesh në një përpjekje për të inkurajuar klasën tonë politike në drejtimin e duhur?

Nëse ndalesh vetëm një moment tek lufta kundër drogës, ndonëse janë zvogëluar sipërfaqet me kanabis, është e pakuptimtë të shënohet si sukses kur s’kemi ende shefat e policisë pas prangave. Është fjala për shefat e lidhur me grupin e Habilajve. Le më pastaj ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili u mbrojt politikisht nga mazhoranca në Kuvend. Po të shtosh këtu edhe Klement Balilin, si dhe 614 kg kokainë të kapura në Durrës, për të cilat nuk dihet se kush i solli në vendin tonë, panorama në realitet është krejt ndryshe nga ajo që thuhet në raport. Zyrtarisht raporti do t’i dorëzohet nesër kryeministrit Edi Rama nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri Johanes Hahn./LAPSI.al

Share: