Home Gjeo-Ekonomia PANAIRI NERANXI 2018 “1001 ide për nje shije”, si një instrument...

PANAIRI NERANXI 2018 “1001 ide për nje shije”, si një instrument perfeksioni në artin e kulinarisë

Flet per Genc Mlloja, Albania Daily News, Nikollaq Neranxi, President i Kompanisë Neranxi dhe i Institutit Kulinar Neranxi 

–          Që prej 11 vitesh, Kompani Neranxi organizon Panairin e Kulinarisë i cili tashmë është bërë një traditë. Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë dhe sfidat e kësaj sipermarrjeje që është e vetmja e organizuar nga një kompani private në vend?

Kur vendosëm të bëjmë një panair kulinar privat i cili është një event ku demonstrohen risitë kulinare, një vend i cili bën bashkë furnitorë të huaj, profesionistë të kulinarisë, menaxherë dhe klientë, dukej gati gati një mision i pamundur. Në botë janë kompani të posaçme të specializuara, të cilat bëjnë organizime kaq ambicioze. Ne ishim të vendosur për ta ndërrmarrë këtë hap, sepse kërkonim të ecnim më shpejt në rritjen dhe perfeksionimin e sektorit ku operojmë. Nuk do mjaftonte kjo intervistë për të rrëfyer se sa e vështirë ka qenë në fillim. Pikë së pari, njerëzit as nuk arrinin ta kuptonin se çfarë ishim duke bërë. Në sytë e tyre, një Kompani si e jona duhej të ishte një shitëse produktesh dhe kaq mjaftonte. Por ne po kërkonim më shumë. Panairet në botë që ne vizitonim, por edhe Kompanitë furniture, na hapën mendjen dhe na bindën se ne duhej ta ndërmerrnim këtë hap. Sepse ne nuk duhet të jemi thjesht shitësa produktesh. Ne jemi profesionistë që ofrojmë edhe shërbime, trajnojmë çdo klient tonin apo specialist të kulinarisë, në mënyrë që ai të rrisë perfomancën në punën e tij. Dhe Panairi është një mënyrë shumë efikase për ta bërë këtë, pavarësisht se duhet thënë që është një aktivitet që kushton shumë dhe kërkon një angazhim shumë të madh. Por kur shohim rezultatet, bindemi se ia ka vlejtur gjithçka.

–          Cilat janë disa nga risitë që prezantoni këtë vit, nën slloganin “1001 ide për një shije”?

Ata që e vizitojnë Panairin Neranxi çdo vit, e kuptojnë menjëherë ndryshimin nga vitet e kaluara, sepse është gjithnjë diçka më e madhe, më profesionale. Edhe ne që e organizojmë, na duket sikur çdo Panair kemi bërë maksimumin, por në fakt ky është një profesion që ska fund, është një rrugëtim që ka objektiva, por pa një stacion ndalese. Ne, përgjatë gjithë këtyre viteve, në seminare të ndryshme, por edhe gjatë panaireve, kemi punuar shumë që klientët tanë, por edhe konsumatorët, të ndërgjegjësohen për përdorimin e produkteve cilësore. Ata duhet vazhdimisht të kërkojnë informacion për çdo produkt ushqimor që blejnë. Për fat të keq, në Shqpëri për vite me rradhë kanë ardhur mjaft nga mbeturinat e magazinave të botës. Babëzia për të fituar në kurriz të shëndetit të njerëzve, ka qenë një fenomen jo aq i rrallë e tashmë edhe mjaft i njohur e i mediatizuar. Ne jemi përpjekur t’i ndërgjegjësojmë duke iu mësuar se si mund ta dallojnë një produkt cilësor nga një tjetër. Megjithatë nuk ia kemi dalë gjithmonë. Por sa më shumë kalon koha, shoh që ka filluar një reflektim në këtë drejtim. Ndërsa këtë Panair kemi vendosur të jemi pak më artistikë dhe kreativë, me më shumë qasje ndaj shijes dhe të bukurës në tavolinë. Këtë ma kanë kërkuar specialistët e mij, të huaj dhe shqiptarë. Duam t’ju mësojmë shqiptarëve se si të jenë më kreativë në kuzhinë. Prandaj kemi vendosur slloganin “1001 ide për një shije! Do i përkushtohemi shijes, pasi ushqimi që konsumojmë duhet të jetë i shëndetshëm, i shijshëm dhe estetikisht i bukur. Në këtë aspekt, këtë edicion, klientët tanë do shohin çudira dhe mrekullira në demonstrimet e shijeve.

–          A mund të na përshkruani, çfarë gamë shërbimesh dhe produktesh ofroni? 

Kompania Neranxi ka 28 vite që operon në sektorin ushqimor. Jemi ndër sipërmarrjet e para private në vend. Unë dhe familja ime e kemi dashur shumë këtë punë edhe pse sektorë të tjerë si psh ai i ndërtimit apo i karburanteve, ishin shumë më fitimprurëse. Por unë e kam thënë gjithmonë, të merresh me sektorin ushqimor është më shumë se punë, është pasion, është art, është dashuri. Nuk do ta ndërroja me asnjë punë tjetër.

Kompania Neranxi bën import, përpunim dhe shpërndarje të lëndëve të para për industrinë ushqimore, dhe produkte për restorante, pastiçeri, xhelateri, bare, bukpjekës etj, por edhe shitje me pakicë. Kompania Neranxi ka në mënyrë absolute çdo gjë që i duhet sektorit ushqimor. Kemi eksploruar aq shumë në tregun ndërkombëtar këto vite që jemi në treg, sa besoj se nuk mund të ekzistojë ndonjë produkt, edhe shumë i rrallë, që ne të mos e kemi. Madje shpesh na vijnë klientë që punojnë në Ambasada në Tiranë. Janë nga vende të ndryshme të botës dhe kanë tradita kulinare shumë ndryshe nga çfarë njohim ne. Ata habiten kur gjejnë produkte të rralla tek ne dhe në këtë mënyrë nuk heqin dorë nga kuzhina e tyre edhe pse ndodhen në Shqipëri.

Përveç kësaj, ofrojmë asistencë teknike për klientët tanë sa herë ata kanë nevojë si dhe bëjmë seminare periodike. Për ata që hapin për herë të parë një aktivitet, ne angazhojmë një staf goxha të madh që t’i ndihmojmë derisa ata të bëjnë gati çdo gjë për hapjen e madhe. Pastaj për më shumë kualifikim, është Instituti Kulinar Neranxi, ku djemtë dhe vajzat që mësojnë aty, kanë një vend pune të sigurtë sapo mbarojnë shkollën. Për më të talentuarit, jepen edhe diploma për master shef.

–          Meqë jemi tek Instituti Kulinar Neranxi, sa impakt ka patur kjo shkollë në aktivitetin e Kompanisë Neranxi?

Shkolla është hapur 10 vite më parë. Njësoj si me panairin, edhe shkolla dukej si një nisëm që nuk dihej sa do të përqafohej. Po bënim një investim kolosal në laboratore dhe nuk ishte e sigurtë nëse të rinjtë shqitarë do të donin të bëheshin kuzhinierë apo pastiçierë. Vitet e para erdhën pak, por me kalimin e viteve, falë edhe mënyrës se si ne ju a servirnim këtë mundësi për të pasur një profesion të bukur dhe fitimprurës, njerëzit filluan të ndërgjegjësohen. Sot shtojmë për ditë laboratore dhe klasa, sepse nuk po e përballojmë dot fluksin e nxënësve. Madje sot është cool me qenë kuzhinier!! Këtë e shoh tek fotot e shumta që postojnë nxënësit tanë në rrjete sociale. E shoh me sa krenari e mbajnë uniformën e kuzhinierit dhe pastiçierit dhe ndjehem mirë, sepse nuk ka qenë e lehtë t’i ngrije nga kafenetë dhe t’i sillje në një shkollë kuzhine! Përsa i përket ndërveprimit, mund të them se kompania e ndihmon shumë shkollën dhe shkolla e ndihmon shumë kompaninë. Në një aktivitet  si i yni, shkolla është shumë e rëndësishme për të ecur përpara.

–          ‘Gjithmonë një hap perpara’, është motoja juaj. Cilat janë synimet dhe objektivat tuaja të ardhshme? A parashikoni shtrirje të veprimtarise tuaj më tej brenda dhe jashtë Shqipërisë? 

Kompania Neranxi rritet çdo ditë, është një rrugëtim që nuk mund të bëhet ndryshe, veçse duke u përmirësuar ditë pas dite. Ne jemi në një hap me trendet më të mira botërore në këtë fushë. Sapo ata lançojnë risi, ne e sjellim menjëherë tek konsumatori shqiptar. Vijojmë të bëjmë luftën e madhe për ndërgjegjësimin mbi cilësinë dhe sigurinë ushqimore, perfeksionojmë klientët tanë që të dinë si t’i përdorin sa më mirë këto produkte, në mënyrë që konsumatori të marrë më të mirën. Përsa i përket Institutit Kulinar Neranxi, mendoj se shumë shpejt mund të hapim disa filiale në disa qytete të Shqipërisë, sepse kërkesa është e madhe, ndërkohë Kompania Neranxi vijon shtrirjen e saj në Ballkan dhe po ecim jashtëzakoshisht shumë mirë në Kosovë. Madje në Kosovë e kemi patur më të lehtë për të bindur klientët që të zgjedhin cilësinë si dhe trainimet janë frekuentuar në mënyrë masive. Jam shumë i lumtur që atje Neranxi është po aq i njohur dhe i pëlqyer sa në Shqipëri megjithëse aktiviteti ka filluar disa vite më vonë. Në konkluzion mund të them se kur punon shumë dhe me përkushtim, rezultatet nuk vonojnë dhe ne ndjehemi të shpërblyer në punën tonë./ADN

Share: