24 protestuesit kuksianë të arrestuar për djegien e kabinave të faturimit në Rrugën e Kombit pritej të dilnin sot përpara Gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë. Por duket se në momentet e fundit Gjykata dhe Policia kanë vendosur ta shtyjnë për nesër masën e sigurisë.
Pjesa më e madhe e protestuesve, 13 prej tyre ndodhen në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër, 11 protestues në komisariatin e Policisë së Kukësit.
Mbi protestuesit rëndojnë katër akuza, ajo e tubimit të paligjshëm, dhunë dhe kundërshtim ndaj policisë si dhe shkatërrim të pronës publike.
Do të jetë gjyqtarja Alma Ahmeti ajo që do të vlerësojë masat e sigurisë për këta 24 persona.
Televizioni News 24 duke cituar burime, thotë se gjyqtarja është njohur vetem sot me dosjen e prokurorëve ndaj është vendosur që seanca për masën e sigurisë të mbahet nesër në orën 10:00.
Sakaq, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka nisur sërish tubimi për lirimin e të arrestuarve. Aty janë dhe gjithë deputetët e grupit të PD-së.