Tendenca e Turqisë për të vënë në pikëpyetje sovranitetin kombëtar grek është problemi më i madh me të cilin po përballet Greqia në marrëdhëniet e saj me fqinjët, dhe kjo vjen si konkluzion i një sondazhi mbarëkombëtar të kryer nga instituti “Public Issue” me temën “Greqia dhe Bota 2018”.
Gazeta “Ekathimerini” citon se sipas anketës, 74 përqind e të intervistuarve thanë se sfida ndaj sovranitetit grek në Egje dhe mbi ishujt si, Kastelorizo, Fourni dhe Dodekanez, është çështja më e rëndësishme, ndërsa 16 përqind besojnë se shkak është agresioni dhe papërgjegjshmëria e Turqisë.
Të pyetur se ku gjenden marrëdhëniet greko-turke në krahasim me një vit më parë, 81 përqind thanë se janë përkeqësuar, 16 përqind thanë se janë të njëjta dhe vetëm 2 për qind besojnë se ato janë përmirësuar.
Lidhur me trajtimin e marrëdhënieve dypalëshe me Turqinë nga qeveria greke, 54 përqind e të anketuarve dhanë përgjigjen “ndoshta e gabuar”, kundrejt 37 përqind që e vlerësojnë “ndoshta të saktë”.
Në të njëjtën kohë, 56 përqind e pjesëmarrësve thanë se kritikat e ngritura nga opozita kundër qeverisë mbi politikën e saj ndaj Turqisë janë “ndoshta të gabuara”, ndërsa 32 përqind thanë se “ndoshta janë të sakta”.
Sondazhi ka treguar se 67 përqind e të anketuarve janë “kundër” anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian dhe 27 përqind janë “në favor”.
Megjithatë, shumica dërrmuese, 70 përqind, thotë se Greqia duhet të vazhdojë të angazhohet në dialog dhe negociata me Turqinë, ndërsa vetëm 28 përqind janë kundër bisedimeve.
Të pyetur nëse ata besojnë se një luftë me Turqinë është e mundshme në vitet në vijim, 52 përqind thanë se është “e pamundur” dhe 44 përqind thanë se është “e mundshme”.
360grade.al