Aparatura përgjimi që mund të gjurmojnë telefonat celularë dhe të interceptojnë telefonatat apo mesazhet janë zbuluar në Uashington dhe përtej tij.
Departamenti amerikan për Sigurinë Kombëtare thotë se kishte pikasur aktivitet anormal të disa lloj aparaturave, që mund të përdoren nga spiunë të huaj apo kriminelë, edhe pse nuk drejton gishtin kundër askujt, të paktën për momentin.
Departamenti i Sigurisë së Brendshme shton ndërkohë se, këto aparatura përbëjnë një rrezik në rritje.
Ato që në SHBA njihen si “Stingray” ose “IMSI” janë aparatura të përgjimit telefonik, që ngjasojnë me antena të telefonisë së lëvizshme.
Me përmasat sa një valixhe, aparaturat lëshojnë sinjale që mund t’i detyrojnë telefonat celularë të transmetojnë vendndodhjen e tyre dhe identifikojnë informacionin.
Përveç gjurmimit të telefonit celular të një të dyshuari, aparatet mbledhin edhe informacione për telefonat e kalimtarëve që ndodhen pranë.
Besohet se kjo është e para herë, që qeveria amerikane ka pranuar përdorimin e aparaturave të jashtëligjshme të përgjimit në Uashington.
E pranimi është bërë në një përgjigje ndaj një letre të senatorit amerikan, Ron Wyden, ku ai pyeste Departamentin e Sigurisë së Brendshme për përdorimin e paautorizuar të këtyre mekanizmave.
Përgjigjja i ishte dhënë “Associated Press” nga zyra e Wydenit.
Përdorimi i këtyre aparaturave nga forcat e policisë në SHBA kundërshtohet nga aktivistët e të drejtave të njeriut, që kanë identifikuar 73 agjenci në 25 shtete me aparatura të tilla, por besohet se mund të ketë edhe më shumë në përdorim, pa një pohim zyrtar.
Mes politikanëve në Uashington ka shqetësime se aparatura të tilla mund të përdoren edhe nga agjenci të paautorizuara, si për shembull qeveri të huaja.
o.j.dita