Ministria greke e Mbrojtjes ka bërë me dije se për herë të parë, forcat ushtarake të saj kanë ndërhyrë për të penguar fluturimin mbi ishujt grekë të Egjeut të një avioni turk pa pilot, të ashtëquajtur dron spiun.
Ngjarja ka ndodhur vetëm disa ditë pasi Ankaraja ka deklaruar se ka futur në arsenalin e saj ushtarak avionë të tillë. Droni në fjalë i tipit UAV ANKA, prodhim turk, ka shkelur hapësirën ajrore greke në mesditën e së enjtes në rajonin Dodekanisa më shumë se dy herë. Sapo ai është zbuluar nga radarët e ushtrisë, është ndjekur dhe është interceptuar nga dy avionë usharakë F16 të flotës greke.
Avioni pa pilot, që është ngritur nga baza ushtarake turke e Dalamës, është i destinuar për misione zbuluese me synim mbledhje informacionesh si dhe fotografime të zonave të caktuara. Incidenti në fjalë ndodh në një moment kur marrëdhëniet midis dy vendeve janë tejet të tensionuara dhe retorikat dypalëshe kanë arritur kulmin.
Orët e fundit, ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos, ka deklaruar se në kuadrin e një riorganizimi të ushtrisë ka urdhëruar dërgimin e 3500 ushtarëve grekë në repartet ushtarake të Greqisë në kufirin me Turqinë, pranë lumit Evro, si dhe po kaq të tjerë përgjatë ishujve të Detit Egje, atje ku incidentet me forcat e marinës turke janë të shpeshta, sidomos ditët e fundit.
Ndërkohë, kryeministri Tsipraa, në një intervistë për gazetën “Documento”, ka kërkuar nga Ankaraja që të marrë fund kalvari i dy ushtarakëve grekë që janë arrestuar nga forcat turke, pak metra brenda kufirit të tyre, në fillim të muajit të kaluar.