Home KRYESORE Fatos Klosi: Berisha më i shqetësuari nga ekstradimi i Haxhisë, ja faktet...

Fatos Klosi: Berisha më i shqetësuari nga ekstradimi i Haxhisë, ja faktet që tregojnë përfshirjen e tij në vrasjen e Hajdarit…

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komenton ekstradimin e Izet Haxhisë nga Turqia në Shqipëri si edhe akuzat e shumta të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Klosi u shpreh se Berisha ndjehet i shqetësuar pas ekstradimit të Haxhisë sepse ka frikë se mos nxjerr fakte të reja për vrasjen e Azem Hajdarit.

Sipas Klosit, ish-kryeministri është i implikuar direkt në atentatin e organizuar ndaj Hajdarit, teksa gjatë intervistës shpjegoi edhe se ku mbështetet për këtë përfundim.

Po ashtu, ish-kreu i SHISH iu përgjigj edhe akuzave që Sali Berisha hodhi ndaj tij dy ditë më parë, duke folur per gazeten “Sot”. Klosi nënvizoi se këto janë sulme të pabaza që vijnë sepse Berisha nuk e ka vendosur dot nën urdhrat e tij.

Zoti Klosi, dje në mbrëmje u ekstradua nga Turqia, Izet Haxhia. Por po dje pati një reagim shumë të ashpër të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ju akuzoi dhe ju. Ju cilësoi agjent të huaj dhe si të përfshirë në trafiqe. Keni një koment për këto akuza?

Jo jo, nuk ia vlen të merrem me fjalët e Sali Berishës. Ish-kryeministri është kampion i shpifjeve, i ofendimeve dhe i akuzave absolutisht të pabaza. Kështu që nuk ia vlen të biesh në lojën e tij. Nuk kam asgjë për të thënë për rastin konkret sepse është thjeshtë një ulje figure dhe sinqerisht nuk dua të merrem me fjalë.

Pse Berisha gjithmonë ju sulmon juve, ndërkohë që tha se edhe emërimi juaj në krye të SHIK ishte bërë në kundërshtim me ligjin?

Nuk e di pse më akuzon gjithmonë, arsyen e di ai. Në fakt, unë nuk di të ketë ndonjë arsye. Në përgjithësi Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj meje që ditën e parë që unë jam emëruar në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror (në atë kohë SHIK). Mendoj që ai thjesht më ka konsideruar një njeri që nuk isha në sferën e tij të influencave. Ish-kryeministri çdo njeri që nuk e vendos dot poshtë vetes, nuk i bën dot për vete, i konsideron armiq dhe nuk lë gjë pa thënë për ta. Shpifje nga më të ndryshmet.

Berisha të martën dukej mjaft i irrituar në deklaratat e tij, ndërkohë që akuzoi dhe qeverinë si të përfshirë në ekstradimin e Haxhisë. Po ashtu, edhe “Rilindja Demokratike” ka bërë një shkrim shumë të ashpër dhe të mbushur me sulme, ku thuhet se ekstradimi është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e tij. A mendoni se ka filluar të shqetësohet ish-kryeministri nga ekstradimi i ish-truprojës së tij?

Shiko, nuk ka asgjë në dorë kryeministri Edi Rama. Edi Rama nuk ka pse të tërheqë vëmendjen apo ta largojë vëmendjen. I gjithë ky problem nuk është problemi i Edi Ramës. Izet Haxhia ka bërë shumë akuza kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe do të përpiqet që të rihapë procesin për vrasjen e Azem Hajdarit. Të paktën kështu thotë ai, që do të kërkojë rihapjen e dosjes. Natyrisht në këtë proces të rihapur më pas do të bëjë akuza ndaj Sali Berishës dhe do të shikohet mundësia nëse mund të merren për bazë apo jo. Por nuk është në dorën e Edi Ramës nëse hapet apo jo procesi sërish.

Akuzat e lëshuara nga Sali Berisha them unë janë fare të pavlera dhe nuk dua t’iu kushtoj vëmendje sepse më duket sikur e ndihmoj duke i kushtuar vëmendje. Është e vërtetë që ai ndjehet i shqetësuar për faktin se pse njerëzit po i kushtojnë kaq shumë vëmendje Izet Haxhisë si personazh. Kjo jo për problemin e Izetit, por për shpresën që njerëzit kanë se ky i fundit do të thotë diçka për Sali Berishën dhe mund të nxjerrë në shesh të vërtetat e fshehura të tij.

Thjesht mendimi që ai mund të japë fakte që e tregojnë ish-kryeministrin si një njeri të ashpër, një njeri që ka planifikuar plot pisllëqe për të ndenjur dhe për të mbajtur pushtetin. Si rrjedhim, të gjithë po presin këtë gjë. Kështu që Berisha, sigurisht, duke e pasur njeri të afërt, ka frikë prej tij. Ka frikë sepse njerëzit janë të prirur ta dëgjojnë dhe besojnë Izet Haxhinë sepse duan të dëgjojnë keq për Sali Berishën. Ky është fakt, kjo është e vërteta, prandaj është i trembur Sali Berisha.

A duhet të rihapet dosja “Hajdari” pas ekstradimit të Izet Haxhisë dhe mendoni se do të ketë zhvillime në këtë aspekt?

Unë i qëndroj asaj që kam thënë edhe më parë. Për mua kjo dosje duhet të hapet dhe të sqarohet një herë e mirë. Por unë nuk e di nëse me ardhjen e Izet Haxhisë do të dalin fakte të reja në pah. Mund të them që pres fakte të reja. Ai ka qenë njeri i afërt me Sali Berishën, edhe mund të ketë fakte të reja që deri tani nuk janë thënë, por unë nuk mund të them me siguri ka apo nuk ka. Unë vetëm mund të hamendësoj sepse atë e di vetëm Izeti.

Haxhia ka akuzuar drejtpërdrejt Berishën të përfshirë në atentat. Ju çfarë mendimi keni?

Absolutisht që ndaj të njëjtin mendim me ish-truprojën e Berishës për këtë punë. Sali Berisha është i përfshirë në atentatin e organizuar ndaj Azem Hajdarit. Sigurisht që Izet Haxhia e di më mirë këtë punë dhe prapaskenat e saj sepse ka qenë më afër Berishës në atë kohë, ka qenë njeri i afërt i tij. Ndërsa unë them që Sali Berisha është i përfshirë në këtë ngjarje duke analizuar të gjithë ngjarjen që ka ndodhur. Berisha u ngut shumë për të thënë se kush e vrau, si e vrau Hajdarin, ndërkohë që nuk dihej asgjë.

Pra, Berisha i dinte më përpara detajet, se kush do ta vriste dhe si do të ndodhte. Kështu që është shumë e qartë që Sali Berisha është pjesë, është bashkëpunëtor. Edhe pse nuk doli në procesin gjyqësor, Berisha sërish është i implikuar. Berishën nuk e detyruan në procesin e parë hetimor që të dëshmonte. Ai nuk ka dhënë asnjë dëshmi se nga i dinte këto gjëra, si i dinte, nga i mori vesh, etj, etj.

Ndoshta tani me këtë sistem gjyqësor paksa të ndryshuar për shkak edhe të reformës në drejtësi, një sistem më objektiv dhe profesional që po bëhet, le të shpresojmë. Edhe Izet Haxhia shpreson, por edhe vetë populli pret tashmë që në gjyq të dalin fakte që dëshmojnë fajësinë e Sali Berishës për këtë ngjarje të rëndë. Kjo është ajo që pret apo do populli, prandaj edhe Izeti është pritur me interes të lartë në publik dhe në media.

Në vitin 1998 ju ishit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Keni pasur ju dijeni se ndaj Hajdarit po përgatitej një atentat?

Po si nuk kemi pasur. Kemi pasur dijeni dhe e kemi lajmëruar Azem Hajdarin për atentatin që po i përgatitej. Unë e kam lajmëruar Hajdarin nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Azemi na ka falënderuar për këtë lajmërim dhe na ka thënë që unë i kam marrë masat, nuk ka problem. Pra, ne nuk dinim se kur do të ndodhte atentati dhe si do të ndodhte, sepse këto janë detaje që i dinë vetëm organizatorët, por që po përgatitej një gjë e tillë, kjo dihej.

Në këtë rast ishte një atentat që përgatitej për shkak të një hakmarrjeje dhe në procesin e hakmarrjes normalisht nuk është vetëm veprimi, por është edhe opinioni që lë. Hakmarrja bëhet për opinionin publik më shumë. Nuk bëhet vetëm me qëllim eliminimin, por duhet ta marrin vesh edhe të tjerët se çfarë ka ndodhur, që është mbyllur ai problem. Dhe në rast se flitet edhe në rrethe të ngushta për këtë gjë, atëherë është e qartë që asgjë nuk mbetet sekret. Pastaj situatën në Tropojë ne e dimë. E dimë se kush e konsideronte, pse u vra vëllai i Fatmir Haklajve, çfarë diskutohet në familjen Haklaj, etj.

Pse nuk u arrit të shmangej një ngjarje e tillë?

Nuk është aq e thjeshtë, nuk ke çfarë t’i bësh. Nuk e shmang dot, Azemi kishte vazhdimisht bodyguard që i rrinin dhe e ruanin. Nuk ishte problemi i mirëorganizimit të atentatit, por vetë Azemi ishte një djalë, një njeri shumë dinamik. Ai nuk ishte një njeri që mbrohej duke ndenjur mbyllur në shtëpi apo në zyrë. Ai ishte shumë i ekspozuar. Ka plot që e dinë se iu është organizuar një atentat dhe rrinë gjatë gjithë kohës mbyllur, nuk dalin në publik fare. Por Azemi edhe pse e dinte se ishte i kërcënuar, nuk është se ai nuk kishte lidhjet e veta në Tropojë, sërish nuk ndjehej shumë në panik. Ai kishte qenë edhe në bisedime me të atin e Haklajve, për këtë problem për të sqaruar gjërat. D.m.th ishte një proces që zgjaste prej shumë kohësh, mirëpo mesa duket nuk arritën të merren vesh dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi.

Si e shihni faktin që Berisha ka refuzuar të japë sqarime për vrasjen e Hajdarit dhe e vetmja dëshmi është ajo e vitit 1999, përballë diplomatit amerikan Robert Frouik?

Shiko, është shumë e qartë që dëshmitë jepen para prokurorisë dhe para gjykatës për hetim që bëhet për të zbardhur të vërtetën. Kështu që këto lloj dëshmish janë dëshmi me pasoja dhe jo dëshmi nga ato që lëshon Sali Berisha si petulla nëpër media dhe ku të mundet. Kështu që prandaj edhe ai ka hezituar që të japë dëshmi duke qenë nën hetim meqenëse është e qartë që dëshmitë nën hetim janë shumë serioze dhe janë dëshmi që po rezultuan të gënjshtetërta të fusin brenda.

Pra janë dëshmi me zarar. Kësaj i është trembur Berisha që nuk ka pranuar të japë dëshmi. Mbase këtë radhë e detyrojnë. Unë uroj që të jetë kështu, uroj që të evidentohet, nuk dua në asnjë mënyrë që të dënohet kot, por të evidentohet e vërteta dhe kontributi i tij në vrasjen e Azem Hajdarit dhe pastaj të përballet me drejtësinë ashtu siç e meriton, pra të mbajë pasojat që rrjedhin prej saj.

Share: