Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është paraqitur as sot në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Kjo është seanca e dytë që zhvillohet për të pas një ankese që ka bërë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kundër vendimit për pushimin e Vetting-ut ndaj tij. Llalla ka dërguar një prokurë nga Turqia ku i jep të gjitha të drejtat avokatit të tij Sokol Harizaj për ta mbrojtur.
Seanca në KPA nisi në orën 10:00 të paradites së sotme. Kreu i trupit gjykues, Sokol Çomo lexoi prokurën e paraqitur nga avokati dhe më pas trupa e gjyqtarëve u tërhoq për të marrë vendimin nëse kjo prokurë është e vlefshme apo jo.
“Jemi para një akti zyrtar në paraqitjen formale të hartuar në shtetin turk. Kemi aktin të hartuar në gjuhën turke, është përkthyer dhe në gjuhën shqip. Akti është i pajisur edhe me vulën apostile sipas konventës së Hagës. Përmbajtja po e lexoj përkthimin në shqip:
Emëroj si përfaqësues ligjor avokatin Sokol Hazizaj,t ë cilit i jap të gjitha të drejtat që parashikon ligji për të më mbrojtur në mungesën time para çdo institucioni publik. Në kushtet kur kam marrë dijeni për orën dhe datën se në Kolegjin e Apelimit do të gjykohet në seancë gjyqësore publike për ankimimin që komisionieri publik ka bërë për subjektin e rivlerësimit Adriatik Llalla. Në kushtet kur e kam të pamundur të paraqitem, autorizoj si përfaqësues të posaçëm ligjor avokatin Sokol Hazizaj për të më përfaqësuar. Të gjitha veprimet e kryera nga avokati i cilësoj të vlefshme e të mirëqena”, deklaroi Çomo.
Edhe në seancën e kaluar të 16 majit, ish-kryeprokurori nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai u përfaqësua nga avokati i tij Sokol Hazizaj, i cili deklaroi se klienti i tij nuk kishte pasur dijeni për ankimimin e Komisionierit Publik nga ky institucion por e ka mësuar nga mediat.
/Opinion.al