Ish-Prokurori i Përgjithshëm do të dalë nesër në orën 10:00, para Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit. Në seancë do të gjykohet ankimimi i komisionerit publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte vendosur në 16 shkurt të këtij viti, ndërprerjen e procesit të vettingut për Adriatik Llallën, pasi ai u tërhoq nga e drejta për t’u rikthyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit, e duke u larguar kështu nga sistemi i drejtësisë.
Trupa gjyqësore do të kryesohet nga Sokol Çomo, me relator Luan Dacin, dhe tre do të jenë anëtarët e trupës, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Ina Rama, shkruan AbcNews
Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit ka hedhur shortin edhe për dy ankimime të tjera të komisionerit publik, për ndërprerjen e vettingut nga KPK, për ish anëtaren e Gjykatës së Lartë Mirela Fana, e dorëhequr më 31 janar dhe prokurorin e Kavajës Sulejman Tola i dorëhequr më 27 janar.