Home KRYESORE AMBASADORJA TURKE NE MAQEDONI, ETIKETON NXËNËSIT E “YAHYA KEMAL” SI TERRORISTË POTENCIAL

AMBASADORJA TURKE NE MAQEDONI, ETIKETON NXËNËSIT E “YAHYA KEMAL” SI TERRORISTË POTENCIAL

“Dua të bëj një apel tek të gjithë ju dhe opinioni publik, ejani të gjithë së bashku që fëmijët tanë t’i regjistrojmë në shkollat e Fondacionit “Maarif”, nëse ne si prindër nuk duam që fëmijët tanë në të ardhmen të bëhen terroristë, duhet që ata t’i drejtojmë nga shkollat e Maarif, sepse institucionet me emrin “Jahja Kemal”, në asnjë rast nuk na përfaqësojnë ne”, tha Tylin Erkal Kara, ambasadore e Turqisë në Maqedoni.

Këto fjalë ambasadorja turke në Maqedoni, Tylin Erkal Kara, i tha para të pranishmëve në hapjen e Shkollës “Maarif” në Tetovë. Deklarata e saj se shkollat “Jahja Kemal” i bëjnë fëmijët terroristë, ka shqetësuar prindërit.

“E indinjuar nga gjuha e urrejtjes së një “diplomateje”. Unë jam nënë e dy fëmijëve që shkollohen në Yahja Kemal Collegue dhe me plot bindje them se fëmijët e mi më së paku janë terroristë potencial”, shkruan në facebook Zërijeta Jahjaga.

Reagojnë nga shkolla “Jahja Kemal”. Ne prodhojmë shkencëtarë dhe jo terroristë, thotë zëdhënësi Surija Tauk, duke shtuar se kjo shkollë është brend i Maqedonisë dhe se nuk ka asnjë lidhje me Turqinë.

“Mund të hapet një shkollë tjetër, jemi të kënaqur kur hapet konkurrenca, por s’ka asnjeri të drejtë ta akuzojë ndonjërin. Nëse ka të dhëna që jemi “terroristë”, ka institucione gjyqësore, mund të na padisin dhe gjyqi të vërtetojë kush çka është në të vërtetë”, tha Surija Tauk, zëdhënës i shkollës “Jahja Kemal”.

Nëse ka dyshime për ndikime të mundshme ideologjike ndaj nxënësve të shkollës “Jahja Kemal”, nga Ministria e Arsimit thonë se ligji vlen për të gjithë njësoj.

“Të gjitha shkollat e regjistruara në Republikën e Maqedonisë duhet të punojnë në përputhje dispozitat ligjore, kështu që kontrolli ndaj të gjitha shkollave publike dhe private, si dhe në rastin e SHMP “Jahja Kemal Kolexh”, vlen njëjtë si për shkollat e tjera. Organizimi fetar në shkolla është i ndaluar dhe të gjithë qytetarët kanë të drejtë të paraqesin ankesë deri te Inspektorati shtetëror për arsim”, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga MASH gjithashtu thonë se deri më tani, nga Ambasada turke në Shkup nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtare për hetim ose mbyllje të shkollave. Për këtë çështje si dhe për sqarime rreth deklaratës së ambasadores, përgjigje kërkuam edhe nga Ambasada turke në Shkup, por nga atje nuk morëm përgjigje. Debati për kolegjin Jahja Kemal nisi përpara dy vitesh kur i njëjti institucion u akuzua nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan për lidhjen e këtij kolegji me organizatën e Fetullah Gylenit. Mirëpo deri më sot, një akuzë e tillë ende nuk është konfirmuar nga organet e rendit të shtetit tonë./Përgatiti: Besir Arifi, /tv21.tv

Share: