Reforma në drejtësi ishte kryefjala e llogaridhënies në Shushicë të Elbasanit, jo vetëm si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve, por si përgjigje e të gjitha zhurmave që po krijojnë ata që kanë frikë prej saj.
Por Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla tha se reforma në drejtësi nuk do kursejë askënd, i kujtdo krahu politik qoftë ai:
“Kemi bërë reformën në drejtësi, por ne e dimë që gjithë kjo dallgë ka trazu Saliun, ka trazu Saliun sepse ky Luli është kot. Por ne kemi bërë një sistem drejtësie që do të ndëshkojë edhe tanët, jo vetëm të tyret, por edhe ndonjërin nga tanët që e ka futur duart atje ku nuk duhet, ska për të shpëtuar.
Ne kur kemi ardhur këtu në 2017 cfarë ju thamë?
Ne kemi thënë që po bëjmë një sistem që si të shkojë Prenga si të shkoj Hasani ka për të marrë vendimin kush ka të drejtë, jo kush paguan më shumë.”
Ndërsa për Ministren e Sipërmarrjes Sonila Qato reforma në drejtësi është një nga arritjet më të mëdha të kësaj qeverie dhe rezultatet e saj kanë filluar të jenë të dukshme tashmë edhe për qytetarët.
“ Disa arritje të qeverisë janë reforma në drejtësi përmes procesit të vettingut i cili po dëshmon se sa i kalbur ka qenë sistemi i drejtësisë. Pa drejtësi ne nuk mund të vendosim dot asgjë. Kur përplasemi në dyert e gjykatës apo të drejtësisë të gjithë duhet të marrin shërbimin e drejtë. Ndërkohë hapja e negociatave për Bashkimin Evropian është një dëshmi që qeveria shqiptare është duke hecur në rrugë të mbarë.
Tre janë prioritetet kryesore, nxitja e punësimit dhe brenda vitit të parë punësojmë rreth 25 mijë punonjës dhe brenda mandatit ti kalojmë 220 mijë punonjës, e dyta është nxitja e investimeve në cdo fushë”
Llogaridhënia në Shushicë të Elbasanit vuri përballë qytetarëve Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen, Kryetarin e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, zv.ministra, pushtetarë vendorë e drejtorë të drejtorive të përgjithshme.