Kryetari i partisë ‘Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i dërgoi sot një letër ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, z.Donald Lu.
Sipas një deklarate për shtyp të Zyrës së shtypit të Partisë “Zgjidhja”, në këtë letër Kokëdhima e informon ambasadorin amerikan për zhvillimet dhe aktivitetin politik të partisë “Zgjidhja” dhe i parashtron disa kundërshtime dhe kërkesa rreth rolit të tij si kryediplomat i SHBA-ve në Tiranë.
Z. Kokëdhima nuk dha hollësi për përmbajtjen e letrës, por mendohet se ajo ka lidhje me deklaratën e pak ditëve më parë, kur ambasadori Lu, gjatë një takimi të shoqërisë civile, përmendi edhe emrin e kreut të “Zgjidhja”, mes ish-zyrtarëve dhe ish-deputetëve që u larguan nga detyra si rezultat i funksionimit të ligjit të dekriminalizimit dhe punës së gazetarëve kurajozë.
Kjo është hera e dytë që ambasadori Lu adreson akuza ndaj ish-deputetit Kokëdhima. Në 4 nëntor 2016, pas akuzave të tilla, Kokëdhima, përmes një deklarate publike, akuzoi diplomatin përfaqësues të Uashingtonit se me deklaratën e tij duke e akuzuar si të korruptuar ka nëpërkëmbur etikën diplomatike.
“Me deklaratën e tij ambasadori Donald Lu nëpërkëmbi etikën diplomatike. E bëri pa provë pa asnjë fakt. Gjithë jetën kam punuar në biznesin tim dhe mediat që kam drejtuar janë ndeshur me qeveritë e korruptuara. Kam paguar kostot e kësaj lufte. Kam qëndruar gjithmonë në anën e qytetarëve. Pasuritë i kam bërë me biznesmenë të ndershëm. Erdha në politikë i pasur për të punuar për vendin dhe për një karrierë të shëndetshme. Shumë të tjerë hynë në politikë të varfër dhe u pasuruan. Deklaratat e ambasadorit janë të pavërteta.
Janë të ndikuar nga ata njerëz që goditën mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese dhe nga ata njerëz e intriga që nxijnë sa një ambasadë në ambasadën tjetër. Intrigat dhe politikanët e ulët të Tiranës nuk mund të vendosin për mua në politikë e bëjnë vetëm qytetarët”, deklaronte Kokëdhima më 4 nëntor 2016./Zgjidhja