Home KRYESORE “Dita e së vërtetës” për Italinë

“Dita e së vërtetës” për Italinë

Raundi i fundit i negociatave nisi në Romë mëngjesin e kësaj të hëne, me shpresën se do të arrihet më në fund të kapërcehet ngërçi më shumë se dymujor politik i vendit.

Mbrëmjen e së dielës, udhëheqësi i “Lëvizjes 5 yjet”, Luigi di Maio i paraqiti kreut të “Lega Nord”, Matteo Salvini, një ofertë të minutës së fundit, në vazhdën e përpjekjeve për të zhbllokuar situatën.

Di Maio dhe përfaqësues të tjerë të “5 yjeve” janë të parët që u priten nga presidenti Sergio Mattarella. Dita e së vërtetës, siç e përshkruajnë mediet italiane, e vendos kreun e shtetit përballë detyrës së gjetjes së një mazhorance, me të cilën të krijohet qeveria e re.

“5 yjet” kërkojnë koalicionin me “Lega Nord”, por pa “Forza Italia”-n e Silvio Berlusconit. Mosgjetja e një zgjidhjeje rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Di Maio shprehet kundër një qeverie teknike e këmbëngul se po ekzistoi vullneti i mirë, arritja e një ekzekutivi politik nuk është e pamundur.

Ishte diskutuar që më parë se, në rast dështimi të negociatave, Mattarella mund të kërkojë një qeveri tranzicioni, kreun e së cilës ta përcaktojë ai vet, me qëllimin të zgjidhen çështje të mbetura pezull si buxheti i vitit 2019.

Pas një fillimi premtues, marrëdhëniet mes Salvinit dhe Di Maios patën një krisje në vazhdën e këmbënguljes së udhëheqësit të lëvizjes populiste, që kreu i “Lega Nord” ta braktiste partnerin e tij të koalicionit, Berlusconi.

Di Maio nuk arriti nga ana tjetër të afronte kryerivalët demokratë, mbi të cilët Matteo Renzi, që e kundërshton një qeveri të drejtuar nga “5 yjet”, gëzon ende pushtet të gjerë.

Share: