Presidenti Ilir Meta ka komentuar gjestin e bashkëshortes së tij, kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi që pak javë më parë goditi me çizme kryeministrin Rama në sallën e Kuventit. Në një intervistë për FaxNews, Meta u përgjigj se nxiste dialogun.
Pjesë nga intervista
Gazetari: Cili ishte impresioni i parë që patët si President apo qoftë edhe i bashkëshort, kur patë znj. Monika Kryemadhi të qëllojë me çizme në drejtim të Kryeministrit Rama?
Presidenti Meta: Mendoj se dialogu është i pazëvendësueshëm dhe është ai që i duhet më së shumti edhe Kuvendit edhe politikës shqiptare, edhe shoqërisë sonë në tërësi.
Gazetari: A ndiheni keq kur e dëgjoni Kryeministrin Rama, kur i adresohet kryetares së LSI-së me termin “maçoku me çizme”?
Presidenti Meta: Nuk para e ndjek shumë Kuvendin për shkak të angazhimeve të tjera dhe deputetët mbajnë përgjegjësi vetë për veprimet e tyre.
Gazetari: Po nga eksperienca personale z. Meta, por edhe duke e njohur mirë, cilat janë arsyet që e shtynë znj. Kryemadhi të bëjë një akt aq të fortë?
Presidenti Meta: Mund t’i drejtoheni vetë znj. Kryemadhi.
Gazetari: A është e vështirë për ju ta ndani raportin bashkëshortor dhe si Presidenti i Republikës me Kryetaren e LSI-së? E këshilloni ju znj. Kryemadhi apo ajo ju?
Presidenti Meta: Është shumë e lehtë dhe e thjeshtë për mua, unë bëj detyrën time dhe bëj politikën e Presidentit të Shqipërisë.