Përktheu: Elona Caslli
Spanjishten e mësova nga
gjyshja.
“mijito, mos qaj,”
më thoshte gjithmonë.
Në mëngjes
prindërit iknin,
se punonin në
fabrikën e konservimit të peshkut.
Gjyshja ime
bënte muhabet me karriget
dhe u këndonte këngë të vjetra.
Kërcente vals me karriget
në kuzhinë
dhe sa here thoshte “niño barrigón”
fillonte të qeshte.
Me gjyshen
mësova t’i numëroja retë,
t’i dalloja gjethet e mentes
tek vazot e luleve.
Gjyshja ime
vishte hënën
mbi fustan.
Malet e Meksikës,
shkretëtirat
dhe oqeanin
i shihja në sytë e saj.
I shihja në
gërshetin e saj.
I prekja
dhe e ndieja
aromën e tyre
në zërin e saj.
Një ditë më thanë
se kish ikur larg,
por unë ende e ndiej pranë vetes,
teksa më pëshpërit në vesh
“mijito”