Home Gjeo-Ekonomia Në sitë pronat shtetërore – Ngrihet Komisioni i posaçëm i Shqyrtimit

Në sitë pronat shtetërore – Ngrihet Komisioni i posaçëm i Shqyrtimit

Çdo procedurë privatizimi e pronave shtetërore do të kalojë në sitën e një komisioni të posaçëm pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Përmes një Udhëzimi që mban datën 12 prill, kjo Ministri ka përcaktuar një seri ndryshimesh në procedurat e vlerësimit të pronave shtetërore që privatizohen, ku parashikohet edhe ngritja e Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës.

Ky komision do të ketë detyrë të të verifikojë, të kontrollojë dhe të gjykojë dokumentacionin e vlerësimit të objekteve (së bashku me linjat e shërbimit dhe të prodhimit, makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit), të cilat janë përcjellë nga struktura përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore.

Në sitën e Ministrisë së Financave do të kalojnë edhe objektet ndërtimore, kontratat e shitjes të të cilave janë shpallur të pavlefshme nga gjykata, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike kthen për rivlerësim, dokumentacionin e vlerësimit në strukturën përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore, për të bërë vlerësimin sipas gjendjes faktike të tyre dhe legjislacionit në fuqi. Për vlerësimin e tyre, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron fillimin e procedurave të rivlerësimit dhe ngre komisionin për rivlerësim./Lorenc Rabeta/SCAN

Share: