Home Gjeo-Ekonomia Në treg 460 milionë euro më shumë se në 2014, eksperti jep...

Në treg 460 milionë euro më shumë se në 2014, eksperti jep detaje për shumën

Euro është zhvlerësuar me një ritëm të shpejtë në 4 muajt e parë të 2018-s, për shkak të prurjeve të mëdha valutore. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tregun vendas oferta e euros është rritur 35 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të katër viteve më parë.

xhepa

Sasia e eurove të këmbyera në tregun e brendshëm valutor për periudhën janar-prill 2018 arrin në vlerën e 1 miliardë e 780 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2014, kur monedha vendase nisi tendencën e forcimit në treg, janë këmbyer 460 milionë euro më shumë.

Prurjet e larta valutore kanë diktuar një mbiçmim të lekut dhe zhvlerësim të euros. Referuar të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, deri në muajin mars të këtij viti leku është mbiçmuar 5,3 për qind kundrejt monedhës euro. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, zhvlerësimin e euros e lidh me prurjet e mëdha valutore që kanë hyrë nga kanalet informale të ekonomisë. Xhepa shpjegon se prurjet e larta të euros nuk hyjnë nëpërmjet kanaleve bankare, por dalin direkt në tregun valutor dhe për këtë ai i rekomandon Bankës së Shqipërisë të rrisë ofertat monetare, për të krijuar më shumë likuiditet në lekë.

SHKAKU I ZHVLERËSIMIT TË EUROS

Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, i kontaktuar nga gazeta, tha se forcimi i lekut vjen për shkak të prezencës së lartë të euros në vend në rrugë jozyrtare, pra, nga kanalet informale. “Unë besoj se zhvlerësimi i euros është për shkak të prurjeve të mëdha që kanë ardhur dhe dy janë faktorët në gjykimin tim. E para, me prurjet e mëdha valutore që kanë hyrë nga kanalet informale dhe vetë shkalla e euroizimit ose e përdorimit masiv të euros në mënyrë jozyrtare në Shqipëri i dedikohet në një masë të madhe prezencës së fortë të ekonomisë informale.

Me paratë informale kuptohen paratë që vijnë nga bota e errët, që vijnë nga paratë e krimit, drogës të trafiqeve ilegale dhe vetë statistikat e Bankës Qendrore po tregojnë që gjendja e parasë së huaj në Shqipëri është rritur në përmasa të pazakonta krahasuar me periudhat e më- parshme”, u shpreh Xhepa. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, shprehet se prurjet e larta të euros nuk vijnë nga rritja e eksporteve, remitancave apo investimeve të huaja direkte, për këtë arsye luhatshmëria e kursit të këmbimit është e fortë.

“Mendoj se një fuqizim kaq i fortë është i dëmshëm për sektorë të ekonomisë, po ashtu është i pazakontë sepse Shqipëria është një vend me ekonomi të dobët dhe me probleme të mëdha të deficitit të bilancit të llogarisë korrente dhe kuptohet që pritshmëritë e tregut janë që zhvlerësimi duhet të jetë lehtësia. Ndërsa këtu ndodh e kundërta përsa i takon fuqizimit të lekut dhe ky fuqizim duke mos pasur një bazë të shëndetshme, sepse nuk vjen nga shtimi i eksporteve, investimeve të huaja direkte, nga kanale të qëndrueshme të financimit të ekonomisë, madje as nga vetë remitancat. Pra, duke qenë se ky fuqizim nuk vjen nga kanalet tradicionale tipike, por vjen nga prurje të pakontrolluara me efekt të përkohshëm, bën që luhatshmëria e kursit të këmbimit të jetë shumë e fortë. Po ashtu kjo krijon destabilitet në treg dhe në pritshmëritë e agjentëve ekonomikë, pra, nuk është e mirë dhe e rekomandueshme”, u shpreh Xhepa.

REKOMANDIMET

Eksperti Xhepa shprehet se kjo prurje e lartë e euros nuk mund të frenohet. Në këto kushte, Xhepa rekomandon se Banka e Shqipërisë duhet të shtojë ofertat monetare për të mos lejuar fuqizimin e madh të lekut. “Kjo nuk mund të frenohet, sepse ajo është një prurje, e cila edhe sikur mos shfaqet në kanalet bankare, del në tregun e hapur valutor, sepse tregu është i hapur. Banka e Shqipërisë, për të mos lejuar fuqizimin e madh të monedhës, duhet të shtojë ofertat monetare të tregut në mënyrë që të krijojë më shumë likuiditet në lekë dhe të rregullojë balancën e ofertës monetare në lekë shqiptarë në raport me ofertën monetare në monedhë të huaj”, shpjegoi Xhepa.


360grade.al

Share: