Home KRYESORE Nikollë Lesi: Goditja e Xhafës, një lojë e përsosur Rama-Basha?

Nikollë Lesi: Goditja e Xhafës, një lojë e përsosur Rama-Basha?

Prej dy ditësh PD-ja sulmon me të gjitha bateritë kundër ministrit Fatmir Xhafaj. Ditën që ish-ministri i brendshëm Sajmir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit la të kuptojë se “nuk keni parë gjë akoma” kur sulmoi edhe ministrin e brendshëm Xhafaj. Në PS, disa grupe deputetësh, një pjesë që synojnë karriken e Fatmir Xhafajt dhe disave të cilëve iu janë prekur interesat financiare nga lufta e policisë së shtetit kundër kanabisit dhe kokainës; të gjithë ky soji është turrur ministrit aktual të brendshëm. Akuza: Po mbron vëllain e tij të dënuar në Itali.

Çdo njeri mban përgjegjsi penale për veten e tij. Nëse është dënuar le të vuajë dënimin, sipas ligjit, por drejtimi i gishtit tregues ndaj ministrit Xhafaj duket se ka tjetër prapavijë. Ish-ministri Tahiri i akuzuar nga prokuroria se disa kushërinjë kanë folur për të dhe vepruar nën emrin e tij po luan kartat për të sulmuar ministrin aktual të brendshëm me justifikimin për të krijuar në publik idenë se “unë po dënohem për ca kushërinjë, kurse Xhafaj ka vëllain në trafik”.

PD-ja mbetet në luftën e saj politike opozitare dhe normale për një opozitë. Ajo akuzon se ka fakte për vëllain e ministrit, por që realisht ato “fakte” kanë vite të cilat janë publikuar dhe, siç thamë, asnjeri nuk mban përgjegjsi për fajet e kujtdo në familje, në këtë rast të vëllait.

Gjithë ky sulm lidhet më tre variante të mundshme:

Së pari një pazar momental Tahiri-PD, sepse ka informacione se prokurori Besim Hajdarmataj, që njihet për lidhje shpirtërore me PD-në si dhe që ka origjinën e tij fisnore bashkë me themeluesin e partisë demokratike; ka vendosur mbrëmë se nuk do të kërkojë arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri. Kjo në këmbim të dhënies së materialeve kundër ministrit Fatmir Xhafaj si dhe dosje, video, etj ndaj disa politikanëve. Pra një rrugë e dy punë: edhe Tahiri hakmerret, edhe PD-ja merr hov zjarri opozitar.

Ndodh që armiku i armikut tim bëhet miku im!

Së dyti një variant, edhe i besueshëm, lidhet me kapjen e 613 kg kokainë në portin e Durrësit nga ministri Fatmir Xhafaj, çka nuk pritej nga asnjë shërbim. Ishte një sasi e madhe kokaine, nisur nga Kolumbia, natyrisht që kishte garanci të madhe nga segmente të forta shtetrore ose nga politika. Pra me këtë kapje sasie kokaine ministri e rriti numrin e kundërshtarëve në shtet dhe në politikë. Me sa duket ia ruajtën dhe palët sulmuan këto ditë në emër të parimeve dhe ligjit.

Së treti, që nuk ka gjasë, por që duhet hamëndësuar gjithsesi. Lojë përfekte e PD-PS, pra Basha-Rama, që ta godasin njëherësh ministrin duke synuar dobësimin e rritjes së kuotave të tij publike qëkur filloi spastrimin e policisë dhe goditjen e bandave kriminale. Kuotat publike shkonin me shumë për Fatmir Xhafaj se sa për Edi Ramën. Dihet se kryeministri nuk donte ta bënte ministër të brendshëm, por ka qenë një insistim i ambasadorit amerikan Lu pas shkarkimit të Sajmir Tahirit. Po kështu politika e ka frikë ministrin Xhafaj se ç’lloj dosjesh i përcjell FBI dhe CIA-s për klasën politike të korruptuar.

PS nuk e godiste direkt se kishte rrëzikun e përçarjes brenda llojit, por përdori PD-në.

Nëse është ky variant, pra pazari PD-PS vazhdon duke bërë “sherr” me njeri tjetrin, por Rama qëndron në pushtet dhe Basha gëzon “pushtetin e opozitës”./KohaJone/

Share: