Home KRYESORE Rama kthehet urgjent nga Parisi dhe mbyllet në zyrë për çështjen “Xhafaj”

Rama kthehet urgjent nga Parisi dhe mbyllet në zyrë për çështjen “Xhafaj”

Kryeministri Edi Rama është detyruar të kthehet në Tiranë menjëherë nga Parisi pas takimit 90-minutësh me presidentin francez Emanuel Makron. Gjatë së martës paradite ishte përfolur se kreu i qeverisë do të udhëtonte nga kryeqyteti francez në për në Sofje ku të enjten nis një samit i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Por situata politike “e ndezur” në Tiranë ka ndryshuar planet. Pasi kishte bindur ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj të mos bënte asnjë lëvizje pa u kthyer ai në Shqipëri, Rama njoftoi nëpërmjet Facebook se do të fliste për këtë çështje në një mbledhje të grupit parlamentar që do të mbahet paraditen e së mërkurës. Duket qartë që kjo mbledhje e grupit jashtë radhe është gjetur si një zgjidhje ku Rama mund të flasë i pashqetësuar për çështjen. Grupi i PS mblidhet zakonisht të hënave dhe të enjteve në mëngjes, por situata politike ka ndryshuar gjithçka.

Lapsi.al mësoi se menjëherë pas kthimit nga Franca, kryeministri Rama ka shkuar në zyrën e tij rreth orës 19.00. Përveç disa takimeve me stafin nuk është parë të hyjë në zyrën e tij, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Nuk është e qartë nëse do të ketë një takim me ministrin përpara se të flasë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Besohet që komunikimi mes tyre të mos jetë ndërprerë, por Rama dhe Xhafaj kanë zgjedhur të mos dalin së bashku publikisht deri në sqarimin e situatës. Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se të gjithë mbrëmjen e së martës, kreu i qeverisë do t’ja kushtojë çështjes “Xhafaj”. Ai pritet të vlerësojë të gjitha mënyrat për dalje nga skandali me sa më pak kosto. /LAPSI.al

Share: