Home KRYESORE Samiti i Sofjes, çfarë e pret rajonin dhe qëndrimi BE-së. Rama nuk...

Samiti i Sofjes, çfarë e pret rajonin dhe qëndrimi BE-së. Rama nuk ka folur akoma!

Pavarësisht faktit që kryeministri i Spanjës Rajoi nuk pranoi të ulet në një tavolinë me përfaqësuesit e Kosovës dhe nuk ishte fare në ditën e dytë të samitit, dokumenti përfundimtar i përgatitur në Sofje të Bullgarisë u miratua njëzëri.

Në takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Kulturës, Spanjën e përfaqësoi ambasadori i këtij vendi në Bullgari. Megjithatë kundërshtimi i Spanjës e ka influencuar dokumentin përfundimtar, sepse takimi BE-Ballkani Perëndimor është mbajtur pa simbole të shtetit.

Një simbolikë tjetër e takimit ishte edhe „fotografia familjare” dhe komunikimi mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Gjatë përshëndetjes së tyre dhe bisedës joformale, kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov shkoi tek presidenti i Kosovës Thaçi, i cili ishte në rendin e tretë, e mori me vete dhe të gjithë ata u bashkuan në bisedën Merkel, Vuçiq, Thaçi, Borisov, që në samit u komentua si një dëshirë e fuqishme e kryeminstrit bullgar Borisov që të gjitha vendet tëprezantohen të barabarta dhe që Kosova dhe Serbia të kenë një komunikim sa më normal në këtë samit.

Merkel e prerë

Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar me tone më të prera se në paraqitjet e mëparshme prej të gjithë aktorëve të rëndësishëm në Ballkan që t‘i zgjidhin sa më parë problemet në raportet mes tyre.

Burimet tona thonë se në një takim joformal në Sofje, ajo ka kërkuar nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen maksimalisht që çështja e normalizimit të raporteve të shkojë sa më shpejt përpara.

Image

Presidenti Thaçi tha madje se „mendon që marrëveshja e plotfuqishme juridike për normalizimin e raporteve do të mund të nënshkruhej brenda gjashtë deri në nëntë muajve”.
Dëshira e autoriteteve ndërkombëtare është që marrëveshja të nënshkruhet para zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian (vitin e ardhshëm), sepse zhagitja do të mund të cënonte të gjithë projektin, për shkak të mundësisë së forcimit të  së djathtës politike në BE, e cila kundërshton më fuqishëm zgjerimin e BE-së.

Zgjerimin e BE-së e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë edhe presidenti i Francës Emannuel Macron, i cili në Sofje tha se BE-ja duhet të afrojë pranë vetes Ballkanin Perëndimor, por aktualisht nuk bëhet fjalë për anëtarësime të reja dhe zgjerimin e BE-së. „BE duhet të ankorojë Ballkanin Petrëndimor pranë vetes”, tha Macroni para gazetarëve në Sofje.

Vuçiq nuk përgjigjet për marrëveshjen

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk deshi të përgjigjet drejtpërdrejt në pyetjen tonë nëse marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën do të nënshkruhet brenda nëntë muajsh, siç tha presidenti Thaçi. Vuçiqi tha se Serbia i ka plotësuar të gjitha kërkesat që rezultojnë nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa Kosova nuk e ka plotësuar të vetmin kusht që parashikohet me këtë dokumnt – themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por Vuçiq u shpreh se Serbia do të vazhdojë të jetë sa më konstruktive në realizimin e obligimeve të saj – për të mirën e popullit serb. Në takimin e zhvilluar dje mes presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e BE, Federica Mogherini, palët kanë rënë dakord që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë sa më parë, por palët nuk kanë saktësuar ndonjë datë se kur mund të vazhdojë ai.

Image

Rama nuk paraqitet para gazetarëve

Si rrallë herë në evenimentet e këtilla, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte jashtëzakonisht i tërhequr. Megjithë interesimin e madh të gazetarëve për qëndrimet e Shqipërisë, ai zgjodhi që gjatë samitit të heshtë. Të gjitha përpjekjet e gazetarëve që të marrin ndonjë prononcim lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave mes BE dhe Shqipërisë, mbeten pa përgjigje. Të paktën në samit. Nga delegacioni gjerman marrim vesh se ka pasur dhe ende ka rezerva serioze ndaj përkushtueshmërisë së Shqipërisë në evitimin e pengesave për hapjen e këtyre negociatave.  „Kjo mbetet një çështje e Bundestagut”, u tha në samit, që lë të nënkuptohet se tek deputetët gjermanë të koalicionit qeverisës ende ekzistojnë dallime në mendime. Qëndrim i Bundestagut do të dihet në qershor, kur edhe duhet të vendoset nëse Tiranës zyrtare i jepet drita jeshile e Brukselit, Berlinit dhe qendrave të tjera.

Greqia dhe Maqedonia afër marrëveshjes

Sa i përket hapjes së negociatave mes BE dhe Maqedonisë duket se zgjidhja është afër. Në Sofje ka pasur një takim të ndarë mes kryeministrit maqedonas Zaev dhe atij grek Tsipras. Burimet tona nga delegacioni i Shkupit thonë se ata tanimë kanë rënë dakord për emrin e Maqedonisë, por para publikimit të kompromisit, duhet të dakordohen edhe me forcat politike në Shkup respektivisht Athinë. Marrëveshja për emrin e Maqedonisë do të sinjalizonte edhe heqjen e pengesës së fundit për afrimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë me BE. Delegacioni maqedonas ishte optimist se kjo do të arrihet së shpejti, pra para samitit të BE, ku do të vendoset për këtë hapjen apo jo të negociatave BE-Maqedoni. Kreministrat e Maqedonisë dhe Greqisë janë takuar edhe me kancelaren Merkel.

Image

Dokumenti përfundimtar

Dokumenti përfundimtar është miratuar nga të gjitha vendet e BE, ndonëse Spanja ishte e vetmja e cila u përfaqësua vetëm në nivel ambasadori. Dokumenti parashikon vazhdimin e mbështetjes së procesit integrues të Ballkanit Perëndimor në BE. Në 17 pikat e miratuara të Deklaratës thuhet se vendet e BP duhet të bashkëpunojnë mes vete, duhet të luftojnë dukuritë negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar, duhet të bashkëpunojnë në çështjet e sigurisë, evitimin e migrimeve, forcimin e bashkëpunimit ekonomik, luftimin e trafikimit të drogës dhe tafikimit të qenieve njerëzore, ndërmarrjen e masave për një siguri në luftën kibernetike, luftimin e terrorizmit etj.. Por në këtë dokument nuk flitet për anëtarësimin e vendeve të BP në BE apo ndonjë kohë të caktuar se kur do të mund të ndodhte kjo.

Ndryshe interesimi i gazetarëve nga mbarë Evropa ishte e jashtëzakonshëm. Organizatorët thonë se të akredituar kishte mbi 700 gazetarë./DW


360grade.al

Share: