Home KRYESORE Sistemin më të komplikuar të taksave dhe deklarimit, Shqipëria renditet e 14-ta...

Sistemin më të komplikuar të taksave dhe deklarimit, Shqipëria renditet e 14-ta në botë

Shqipëria renditet e 14 mes 94 vendeve në botë, për sistemin më të komplikuar të taksave si dhe mënyrat e raportimit financiar, sipas raportit të nga TMF Group. Në një raport të fundit që llogarit Indeksin e Kompleksitetit Financiar 2018 merren në analizë disa tregues që lidhen me taksat në fuqi, deklarimi i tyre elektronik në insitucionet përkatëse, procedurat e raportimit financiar dhe kontabilitetit. Renditja që ka Shqipëria mes gjithë shteteve të analizuara tregon se sistemi ynë nuk është aq i thjeshtë për investitorët dhe se konsiderohet kompleks në disa hallka të tij.

Perceptimi i nxjerrë në Indeksin e Kompleksitetit Financiar nuk është edhe aq surprizues për aq kohë sa investitorët kanë vënë theksin herë pas here tek thjeshtimi i sistemit të taksave, mosndryshimi shpeshtë i legjislacionit që lidhet me të si dhe konsultimi paraprak i masave që merren nga qeveritë.

Edhe Banka Botërore ka theksuar vazhdimisht se qeveria duhet të tregojë qëndrueshmëri në politikat e saj fiskale si dhe të fokusojë vëmendjen tek përmirësimi i klimës së biznesit në mënyrë që të nxisë rritjen e investimeve të huaja direkte.

Por si renditen vendet afër nesh në këtë raport. Nga rajoni vetëm Kroacia perfomon më keq se ne në këtë indeks e renditur e 12 kurse Greqia renditet e 22, Bosnja e 40-ta, Serbia e 47-ta. Mali I Zi, Maqedonia dhe Kosova nuk janë përfshirë në raport.

Në vendin e parë si vendi me kompleksitetin më të lartë në aspektin e taksave dhe raportimit është Kina e ndjekur nga Brazili dhe më pas Turqia. Kurse vendet me sistemin më pak të komplikuar janë ato që njihen si parajsa fiskale që udhëhiqen nga Cayman Islands dhe British Virgin Islands.

Raporti është hartuar nga TMF Group dhe është publikuar në muajin prill 2018. Sipas sqarimit që jep grupi ky raport u shpërndahet të paktën 15 mijë klientëve të tyre që janë investitorë në 80 vende të botës.

Burimi: Monitor

Share: